
Takimet e ndara në Bruksel të udhëheqësve europianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq Foto: Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në platformën X
Qeveria pas takimeve të Kurtit në Bruksel: Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjet, Serbia jo
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria ka lëshuar një komunikatë pas takimeve që kryeministri Albin Kurti ka pasur me udhëheqës europianë sot në Bruksel.
“Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa” – ka thënë Qeveria e Kosovës.
Në këtë komunikatë është thënë se në takimin e sotëm, me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak, kryeministri Kurti i ka falënderuar të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Tutje është thënë se kryeministri Kurti theksoi që pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë.
“Kjo meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu është thënë se hetimet për grupin paramilitar e terrorist që sipas Qeverisë së Kosovës është sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin.
“Kryeministri Kurti potencoi që Kosova është kampion në sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, gjë që është konstatuar edhe nga organizata prestigjioze ndërkombëtare World Justice Project. Grupi paramilitar terrorist i Milan Radoicic dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX” – është thënë tutje.
Po ashtu në komunikatë është shtuar se Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Europian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes bazike.
Gjithashtu është thënë se për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, kryeministri Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Europian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngriten cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.
Po ashtu u tha se në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin.