Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Bastisje të tjera në veri, lidhen me sulmin terrorist në Banjskë

Policia e Kosovës ka kryer tri bastisje gjatë ditës së sotme në dy komuna në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Bastisjet u kryen në tri lokacione të ndryshme, e të njëjtat lidhen me sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Këto bastisje nuk rezultuan me ndonjë të arrestuar, përderisa nga Policia e Kosovës kanë thënë se ende nuk mund të ndajnë informata nëse është gjetur diçka ose jo.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i policisë në drejtorinë rajonale policore në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se bastisjet u kryen në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.

“Po, këto basitisje lidhen edhe me sulmin që ndodhi në Banjskë” – tha Elshani.

KALLXO.com mbrëmë raportoi edhe për disa bastisje tjera që u kryen në Leposaviq, por që nuk lidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Nga këto bastisje në këtë qytet, policia sekuestroi tri vetura që i përkasin Komunës së Leposaviqit.