Protesta e familjarëve të Krushës Foto: KALLXO.com

Banorët e Krushës protestojnë para Gjykatës për uljen e dënimit ndaj Darko Tasiq-it

Banorët e Krushës së Madhe dhe të Vogël po protestojnë para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë në shenjë revolte për uljen e dënimit ndaj të dënuarit për krime lufte, serbit Darko Tasiq.

“Ne sot kemi ardh për te shprehur revoltën tonë dhe pakënaqësinë për uljen e dënimit të kriminelit Darko Tasiq. Ne tani do të futemi brenda me një grup prej 5 familjarëve dhe do të bisedojmë me kryetarin e gjykatës dhe të shohim se çfarë do ta na thotë. Pasi që të dalim do të tregojmë se çfarë do të na thotë”, u shprehë Selami Hoti, përfaqësues i familjarëve.

Mirëpo, në ndërkohë, familjarët kanë kërkuar që të jetë kryetari i Gjykatës ai që duhet të del jashtë dhe të bisedoj me protestuesit.

Shpresa Shehu, përfaqësuese e familjes është shprehur e indinjuar me uljen e dënimit për Darko Tasiq.

Jemi të indinjuar dhe të shqetësuar për uljen e dënimit të kriminelit. Ai e ka pasur dënimin jo të mjaftueshëm për krimet që ka bërë. Është e padrejtë që kryetari i Gjykatës të mos dal para familjarëve dhe të flasë. I vetmi ky kriminel është dënuar por edhe sa të tjerë janë tash edhe këtij t`i zbutet dënimi kjo është e padrejtë. Përgjysmimi i dënimit është i papranueshëm”, tha Shpresa Shehu.

Darko Tasiqit dje Gjykata e Apelit nga 22 vite burgim për krime të luftës në Krushë të Vogël i është ulur dënimi në 11 vite.

Me vendimin e Apelit ai do t’i mbajë 11 vite burgim pasi u gjet fajtorë për krime të luftës kundër popullatës civile në Kosovë. Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Për këtë pikë të aktakuzës Gjykata e shpalli fajtor Tasiqin dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës, Darko Tasiq akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Për pikën e dytë të aktakuzës Tasiq u shpall fajtor dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 16 vitesh. Familjarë të viktimave gjatë luftës së fundit në Krushë të Vogël të Prizrenit kanë protestuar disa herë para Gjykatës së Prizrenit duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.

Pas shpalljes së vendimit për Tasiqin, protestuesit kanë tentuar që të hyjnë brenda stacionit të Policisë që është prapa Gjykatës dhe kanë sulmuar automjetin me të cilin po bartej i akuzuari.

Protesta e familjarëve të Krushës Foto: KALLXO.com
Protesta e familjarëve të Krushës Foto: KALLXO.com
Protesta e familjarëve të Krushës Foto: KALLXO.com