Protestë para Kuvendit të Kosovës lidhur me Projektligjin për shëndetin riprodhues

Me njërën nga pankartat “Deputetët s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”, kolektivi “Marshojmë S’festojmë” ka mbajtur aksion protestues lidhur me reagimet kundër Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, në hyrje të Kuvendit të Kosovës.

Disa nga mbishkrimet tjera të vendosura në dyert e Kuvendit janë: “Kush na mbron prej deputetëve”, “A e prish familjen IVF ne spitalet private?”, “Kushtetuta, ku?”, e të tjera.

Blenda Asllani, organizatore e aksionit tha se projektligji në fjalë u përvoll me propagandë nga ana e deputetëve.

“Sot mbyllem dyert e Kuvendit te Kosoves me një mesazh të fuqishëm, deputetët s’kanë mandat për të cënuar trupat tanë” – tha ajo.

“Diskutimi i ditëve të fundit, brenda e jashtë Kuvendit mbi Projektligjin për Shëndetin Ripordhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor ka qenë dehumanizues ndaj grave të Kosovës. I njëjti është përcjellë ne propagandë dhe me gënjeshtra nga deputetët, për qëllime patriarkale e elektorale”- shtoi Asllani.

Organizatorja i renditi kërkesat e tyre.

“Të votohet në Kuvend Projektligji për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor duke mundësuar këtë procedurë për çiftet dhe gratë beqare. Të shkarkohet Duda Balje nga pozita e kryetares se Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Të sanksionohen të gjithë deputetët të cilët brenda Kuvendit apo në paraqitje publike nga kryesuesit e Kuvendit, në pajtim me nenin 65 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës” – theksoi ajo.

Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023, ndërsa më 22.02.2024 nuk u hodh në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mars të vitit 2023, ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.

Ky ligj ua mundëson mes tjerash, edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.

Së fundi, projektligji nuk është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit, më 22.02.2024.

Ky projektligj për të disatën herë tashmë, është shtyrë për një seancë tjetër.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca pati thënë se një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar fare ligjin që të mos procedohet.

“Nuk kemi kuorum sërish sepse një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar fare ligjin që të mos procedohet. E provojmë edhe herën e tretë dhe pastaj e lëmë këtu, në këtë…”- ka thënë ai.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani ka konfirmuar për KALLXO.com se ai është deputeti qe s’ka marrë pjesë në votim dhe se për të e kishte fjalën kryeparmnatari Glauk Konjufca.

“Po të sakta janë të dyja”- tha shkurt deputeti për KALLXO.com.

Rrahmani në vazhdimësi është deklaruar kundër këtij projektligji. Gjatë shqyrtimit në parim, Rrahmani kishte thënë se duhet të rishikohet projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen, për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.

Deputetja Duda Balje kishte kundërshtuar po ashtu këtë projektligj.