Foto: White House

Yulia Navalnaya bën thirrje për protestë kundër Putinit

E veja e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, u ka bërë thirrje rusëve që të protestojnë në ditën e zgjedhjeve kundër presidentit Vladimir Putin, duke formuar radhë të gjata jashtë qendrave të votimit.

Yulia Navalnaya është zouar se do të vazhdojë punën e burrit të saj dhe të vazhdojë kundërshtimin ndaj Kremlinit, pas vdekjes së Navalnyt muajin e kaluar në një burg në Arktik.

Përmes një videoje të publikuar në YouTube, Navalnaya mbështeti nismën që të mbingarkohen qendrat e votimit që mbahen gjatë këtij muaji, zgjedhje të cilat pritet t’i japin edhe një mandat gjashtëvjeçar presidencial Putinit.

“Ne duhet të shkojmë në qendrat e votimit në të njëjtën kohë: më 17 mars në orën 12:00. Çfarë do të bëjmë më pas? Ju mund të zgjidhni. Mund të votoni çdo kandidatë përveç Putinit. Mund ta bëni të pavlefshëm fletëvotimin tuaj. Mund të shkruani me shkronja të mëdha ‘Navalny’”- tha Yulia Navalnaya.

Ajo i cilësoi zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars, si “farsë” dhe tha se Putini “do të nxjerrë rezultatin që ai do”.

Forca të sigurisë duke e ndaluar një person që ka marrë pjesë në organizimet për t’i dhënë lamtumirën e fundit Aleksei Navalnyt.
LEXONI EDHE KËTË:

Mbi 100 persona të arrestuar për pjesëmarrje në homazhet për Navalnyn

Sa ishte gjallë dhe gjendej në burg, Aleksei Navalny kishte mbështetur këtë nismë.

Navalnaya, ndërkaq i ka quajtur “trimat dhe njerëzit më të sinqertë në shtetin tonë”- të gjithë personat që kanë vizituar varrin e bashkëshortit të saj në Moskë.

Kremlini ka kërcënuar personat që bëjnë homazhe për Navalnyn se do t’i adresojë, duke u thirrur në ligjet e ashpra ruse kundër protestave.

Qindra persona janë arrestuar gjatë homazheve të bëra në mbarë Rusinë.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, OVD-Info, pesë persona janë arrestuar në Moskë, për shkak të pjesëmarrjes në varrimin e Navalnyt apo se kanë vizituar varrin e tij./REL