Foto: Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris
Auditori në MPJD evidenton se disa misione diplomatike dhe konsullore nuk kanë raportuar për përdorimin e automjeteve zyrtare
Disa misione diplomatike dhe konsullore të Kosovës nuk kanë raportuar lidhur me përdorimin e automjeteve zyrtare.
Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në raportin për vitin 2022.
“Sipas informatave të pranuara nga Divizioni i transportit-logjistikës, prej 52 MDK-ve që janë të obliguara të raportojnë 38 prej tyre kishin raportuar në baza mujore, 5 kanë raportuar në baza tre mujore dhe 9 nuk kishin raportuar”- thuhet në raport.
Tutje auditori ka theksuar se në raport me vitin e kaluar ka përmirësim sa i për ketë raportimit, mirëpo mungesa e raporteve krijon paqartësi nëse automjetet janë duke u shfrytëzuar vetëm për qëllimet e MDK-së.
MDK-të janë të obliguara që sipas Udhëzimit Administrativ 04/12 për përdorim të automjeteve zyrtare, zyrtari përgjegjës për automjetet, i caktuar nga shefi i misionit diplomatik apo konsullore harton raportin me shifra për shpenzimet mujore, të plotësuar për të gjitha automjetet e Misionit, duke përfshirë raportin për secilin automjet dhe i njëjti i raporton Divizionit të Transportit/ Logjistikes në MPJ”.
Auditori ka gjetur se mos raportimi kishte rrjedhur si rezultat i mungesës së stafit në këto misione diplomatike dhe neglizhencës së personave përgjegjës nga ana e MDK-ve.
Ndërsa mos raportimi mujor për automjetet e MDK-ve, sipas Auditorit mund të ndikojë që automjetet zyrtare të mos përdoren për qëllime të duhura dhe kjo mund të shpie deri të keqpërdorimi i tyre.
Auditori ka pasur edhe një rekomandim për ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Ministrja edhe më tej duhet të siguroj përmes shefave të MDK-ve që mbajtja e evidencave të bëhet për secilin automjet zyrtar dhe përdorimi i tyre të jetë në përputhje me objektivat e MDK-së. Po ashtu, raportet mujore të dërgohen në divizionin përkatës sipas kërkesave të rregullores në fuqi”- thuhet në rekomandim.
Më këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).