Foto-ilustrim

Arsyetimi i Gjykatës së Prishtinës për caktimin e paraburgimit për tre të dyshuarit për rastin e rezervave shtetërore

Tre të dyshuarit lidhur me keqpërdorimet me rezervat shtetërore gjenden në paraburgim për 30 ditë  sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar katër ditë më parë nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Dosja e Prokurorisë tregon që ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.

Prokuroria pretendon se Ministria kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar.

Ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Si e arsyetoi Gjykata vendimin për dërgimin në paraburgim të dy zyrtarëve të Ministrisë dhe afaristit Muharremi?

Paraprakisht për caktimin e masës së paraburgimit duhet të plotësohen tri kushte ligjore, 1. dyshimi i bazuar se personi i caktuar ka kryer vepër penale, 2. asgjësimi ,fshehja apo ndryshimi i provave të veprave penale dhe 3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet në të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ose ta përfundojë veprën penale.

Sa i përket pikës së  parë nga provat që ishin paraqitur nga ana e prokurorisë speciale, në seancën dëgjimore,  Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara në cilësinë e personave zyrtar kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” duke i tejkaluar autorizimet e tyre ligjore.

Ashtu që në pozitat menaxheriale që të dyshuarit i mbanin, kanë lejuar që në kundërshtim me legjislacionin për rezervat shtetërore, të anashkalohen procedurat e hapura të prokurimit publik për blerjen e rezeraveve shtetërore për vitin 2022.

Kurse i dyshuari Ridvan Muharremi në cilësinë e personave jo zyrtar ju ka ndihmuar në kryerjen e këtij veprimi duke ju krijuar kushte, propozuar dhe negociuar kushtet për kontratën për furnizim me rezerva.

Sa i përket kushtit të dytë për caktimin e paraburgimit edhe këtu gjykata ka vlerësuar se janë pjekur kushtet ligjore për caktimin e masës së tillë.

Pasi Irfan Lipovica e Hafiz Gara duke qenë se janë zyrtarë të lartë në MINT dhe mbajnë pozita menaxheriale po të lihen në liri do mund të ndërmarrin veprime konkretë për ndryshimin dhe fshehjen e provave me qëllim të krijimit të një version të sajuar dhe të përshtatshëm për të pandehurit, përkatësisht të ndikojnë në dëshmitarët që janë dëgjuar në polici e ku kanë deklaruar se kanë qenë kundër procesit.

Kurse plotësimi i kushtit të dytë për caktimin e paraburgimit për Ridvan Muharremin vie si arsyetim se i njëjti meqenëse kishte rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave për rezerva shtetërore tregon qartë ndikimin e tij në MINT që nënkupton që i njëjti lehtësisht mund të ndikojë në dëshmitarë që punojnë në këtë institucion.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, po të lihen në liri të dyshuarit ekziston mundësia në ndikim te njëri tjetri, duke marrë për bazë që Lipovica e Gara janë kolege pune me vite. Kurse Muharremi është bashkëpunëtor i besuar i tyre deri në masën që të negociojnë kontratë për rezerva shtetërore.

Kurse sa i përket kushtit të tretë ligjor për peshën e veprës penale, gjykata ka vlerësuar se duke marrë për bazë shumën e dëmit që buxhetit të shtetit i është shkaktuar që sipas prokurorisë del të jetë në vlerë prej 601 mijë euro, është tregues mjaftë i qartë për të dëshmuar se rrezikshmëria shoqërore e veprave penale për të cilat dyshohen ti kenë kryer tre të pandehurit është e natyrës së rëndë.

Rrethanë kjo e cila i karakterizon tre të pandehurit.

Gjykata nuk e mbështeti pretendimin e prokurorit të prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, se ka rrezik të arratisjes nga të pandehurit në rast se nuk caktohet masa e paraburgimit, pasi që nuk ka asnjë arsye për të besuar një pretendim të tillë, pasi personat e dyshuar janë shtetas të Republikës së Kosovës, kurse i pandehuri i tretë ka edhe biznesi të tij, që të tre janë familjarë dhe asnjëherë nuk kanë treguar tentativë të vetme për tu arratisur ndonëse kanë qenë në dijeni për veprimet hetimore të ndërmarra nga policia.

Dosja e prokurorisë: Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i Përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj sipas prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se me 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022.  Me këtë vendim, sipas prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për negocim me OE “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezerves shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në anën tjetër dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim per fumizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.