Arrestohet një serb për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e tre personave në Prizren

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se ka arrestuar një person të nacionalitetit serb, shtetas i Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit i dyshuari ka inicialet M. P.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se pas një pune intensive hetimore të Policës së Kosovës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të luftës dhe me autorizim të Prokurorit Special, është  arrestuar i dyshuari me inicialet M.P. i nacionalitetit serb, Shtetas i Kosovës dhe Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’,  vepër kjo e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”-thuhet në njoftim.

Prokuroria bën të ditur se ndaj të dyshuarit është dorëzuar kallëzim penal me dyshimin se në shtator të vitit 1998, në Lagjen ‘’Hoqa Mahall’’ në Prizren, ka marr pjesë në vrasjen e tre personave civil të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Me urdhër të prokurorit të çështjes, Prokuroria thotë se i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për tu dërguar tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor.