Ilustrim.

Arrestohet një i dyshuar për tjetërsim të pronës në vlerë rreth 10 milionë euro

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar sot personin me inicialet A. G. i dyshuar se ka tjetërsuar parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10 milionë euro. Ndërsa, i dyshuari tjetër në këtë rast, Y. H., sipas policisë gjendet në arrati.

Sipas policisë i dyshuari, është arrestuar me urdhër të gjykatës kompetente me ç’ rast është realizuar kontroll në dy lokacione të ndryshme, në një shtëpi dhe në një lokal, nën dyshimin se janë shfrytëzuar për përpilimin e dokumenteve të falsifikuara.

“Hetimi lidhur me këtë rast ka filluar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari A. G. mashkull/ kosovar në bashkëveprim me të dyshuarin Y. H. i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10,000,000.00 euro (dhjetë milionë euro), me ç ’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe  më pas i kanë shitur ato tek personat e tretë duke i mashtruar”- thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit ka sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 (një) pistoletë, 1 (një) karikator me 9 (nëntë) fishekë, 50 (pesëdhjetë) fishekë, 2 (dy) pistoleta me gas, 4 (katër) pushkë ajrore, 2 (dy) laptopë, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) telefon celular, 5680 (pesëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) euro para të gatshme, 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë)  dollar amerikan, 100 (njëqind) franga zvicerane, si dhe rreth 500 (pesëqind) dosje të lëndëve të ndryshme në brendësi të të cilave kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

I dyshuar, sipas Policisë i është nënshtruar procesit të intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, dhe me vendim të prokurorit kompetent ndaj të njëjtit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.