Ilustrim

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Një shtetase ukrainase ishte gjetur e vdekur nga Policia e Kosovës më 21.02.2024 në autostradën “Arbën Xhaferi”.

KALLXO.com mëson se lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar.

Burime nga Policia thonë se i arrestuari dyshohet se ka qenë në veturë me viktimën, ndërsa pas një mosmarrëveshje që është zhvilluar mes tyre shtetasja ukrainase ka dalë nga vetura dhe dyshohet se ajo më pas është goditur nga një veturë tjetër në autostradën Ferizaj – Prishtinë.

KALLXO.com po ashtu mëson se rasti është duke u hetuar nga Njësiti i Autostradave i Policisë së Kosovës, i cili po përpiqet të identifikojë automjetin i cili viktimës i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Prokuroria e Ferizajt më 22.02.2024 kishte njoftuar se është duke u hetuar rasti i shtetases së huaj (ukrainase) me iniciale O.K.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale – aksident trafiku me fatalitet.

KALLXO.com ka raportuar se e ndjera në tetor të vitit 2023 kishte ardhur në Kosovë dhe kishte kërkuar azil në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim.

Arsyeja e ardhjes në Kosovë, sipas burimeve, ishte lufta që po zhvillohej në Ukrainë. Viktima kishte ardhur e vetme, pa qenë e shoqëruar nga ndonjë familjar.

Ukrainasja që u gjet e vdekur, kur kishte ardhur në Kosovë dhe për ç’arsye?