Aksidenti me fatalitet ku mbeti e vdekur shtetasja e huaj në autostradën Ferizaj-Prishtinë, Foto: KALLXO.com

Ukrainasja që u gjet e vdekur, kur kishte ardhur në Kosovë dhe për ç’arsye?

Një shtetase ukrainase është gjetur e vdekur nga Policia e Kosovës mbrëmë, më 21.02.2024, në autostradën “Arbën Xhaferi”.

KALLXO.com merr vesh se rasti është duke u hetuar intensivisht nga organet e rendit.

Burime të KALLXO.com tregojnë se tashmë e ndjera në tetor të vitit 2023 kishte ardhur në Kosovë dhe kishte kërkuar azil në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim.

Arsyeja e ardhjes në Kosovë, sipas burimeve, ishte lufta që po zhvillohej në Ukrainë. Viktima kishte ardhur e vetme, pa qenë e shoqëruar nga ndonjë familjar.

Burimet thonë se institucionet e Kosovës janë duke e trajtuar rastin e vdekjes së saj në mënyrë intensive.

Në këtë drejtim, ukrainases i është gjetur telefoni, është lokalizuar vendi ku ishte duke jetuar me qira si dhe disa gjësende të tjera.

Ajo çfarë kuptoi KALLXO.com është se e njëjta në kohën kur ishte gjetur e vdekur në autostradë nuk posedonte telefonin e saj e asnjë gjësend tjetër.

Telefoni, disa para dhe materiale të tjera janë gjetur në një banesë në Prishtinë ku ajo po jetonte gjatë një kontrolle të kryer nga Policia.

Në bazë të informacioneve që posedon KALLXO.com, në momentin kur është gjetur pa shenja jete, në dosjen e ekzaminimeve deri më tani figuron se kishte këmbën e thyer dhe disa lëndime në fytyrë, të cilat dyshohet se janë shkaktuar pas një goditjeje për të cilën burimet pretendojnë se është bërë nga një “automjet jo i vogël”.

Në anën tjetër, deri më tani nuk është evidentuar ndonjë shenjë e dyshimtë e dhunës në trupin e viktimës.

Burimet thonë se në vendin ku është gjetur trupi nuk ka qenë vend i banueshëm apo i frekuentueshëm prej këmbësorëve.

Prokuroria e Ferizajt më 22.02.2024 ka njoftuar se është duke u hetuar rasti i shtetases ukrainase me iniciale O.K., e cila është gjetur e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë, më 21.02.2024.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 19:30 dhe është duke u hetuar në drejtim të veprës penale – aksident trafiku me fatalitet.

“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj. Prokuroria me të gjitha institucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.

Prokuroria po heton rastin e shtetases së huaj e cila u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, e kishte konfirmuar për KALLXO.com më 21.02.2024 se viktima është vërejtur nga patrulla policore e autostradës në shiritin emergjent.

“Sot rreth orës 20:00, në autostradën ‘Arbër Xhaferi’ drejtimi Ferizaj-Prishtinë, km i 24-të. Patrulla policore e autostradës, ka vërejtur një person të shtrirë në rrugë (shiritin emergjent). Policia ka njoftuar emergjencën, mjeku kujdestar ka konfirmuar se personi femër, shtetase e huaj është pa shenja jete. Në vend- ngjarje kanë dalë njësitet relevante për trajtimin e rastit, po ashtu ka dalë edhe prokurori”- ka thënë Krasniqi më 21.02.2024.

Sipas Policisë, rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë.

Një shtetase e huaj gjendet e vdekur në autostradën Ferizaj – Prishtinë