Arrestohet i dyshuari për 18 vjedhje të rënda në Malishevë, prokurori i rastit jep detaje

Një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës me Prokurorinë e Shtetit ka rezultuar me arrestimin e një personi që dyshohet për të paktën 18 raste të vjedhjes së rëndë vetëm në Malishevë.

Rastin e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Kastriot Memaj.

“Pas një pune hetimore të gjatë, prokuroria në koordinim me policinë ka zhvilluar një bastisje që ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit për 18 raste të vjedhjes së rëndë vetëm në Malishevë, si dhe shumë raste të tjera në Gjakovë” – tha prokurori Memaj për KALLXO.com.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria pritet të parashtroj kërkesë për masën e paraburgimit.

Prokurori Memaj tha tutje për KALLXO.com se do të vazhdohet me punën hetimore me qëllim të identifikimit edhe të bashkëkryerësve tjerë për disa raste penale.