Armë, drogë e dokumente të sindikatave serbe, arrestohen dy persona në Zveçan

Njësia e Policisë për Hetimin e Trafikimit me narkotikë ka arrestuar dy persona në një fshat të komunës së Zveçanit për përfshirje në disa vepra penale.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se policia pas pranimit të disa informacioneve, në një fshat të Zveçanit ka ndalur veturën me vozitësin J.A ku gjatë kontrollit, nën ulëse të veturës është gjetur sasi e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë 453 gram.

Tutje, sipas Policisë, është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit J.A, ku në dhomën e të birit M.A si dhe në shtëpi janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: Pistoletë Berata, një karikator, katër Fishek të kalibrit 7.62 mm, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 2.71 gram, qese të vogla të zbrazëta që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike, një sim kartel, dokument zyrtar i cili dyshohet se është i falsifikuar, dokument i sindikatës së policisë së Serbisë me fotografi të dyshuarit M. A, disa fleta që dyshohet se ka shënime që lidhen me shitjen e substancave narkotike, veturë Opel Zafira dhe substancë e dyshuar narkotike për kokainë, me peshë (453) Gram.

Policia potencon se ndaj dy personave të dyshuar janë iniciuar rastet – Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope ose analoge, mbajtje në pronësi posedimi i pa autorizuar i armës dhe Falsifikim i Dokumentit.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili ka udhëzuar që personave të dyshuar pas intervistimit të ju caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh.