Laboratori i drogës në veri të Mitrovicës, më 12 shkurt 2023 Pamjet: Policia e Kosovës

Laboratorët e drogës në veri, bie në pranga edhe një i dyshuar

Policia ka arrestuar një person të dyshuar për përpunim e kultivim të lëndëve narkotike në rajonin e Mitrovicës së veriut.

Sipas njoftimit, i njëjti dyshohet se është i përfshirë në rastin e njohur si ‘Shpata’, ku ishin gjetur tre laboratorë me bimë narkotike më 12 shkurt 2023.

“Gjatë realizimit të atij operacioni policor ishte arritur të zbuloheshin tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratorë me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Gjatë realizimit të operacionit policorë në fjalë, policia kishte arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj serb”- ka njoftuar Policia.

Policia ka njoftuar se ndaj të dyshuarit R.K. (viti i lindjes 1968), është iniciuar rasti në drejtim të dy veprave penale: prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike dhe kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Tutje Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Në shkurt, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të nacionalitetit serb në kuadër të operacionit “Shpata” ndërsa zbuloi dhe shkatërroi tre laboratorë të drogës në Mitrovicën e Veriut, në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro.

Pas aksionit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se bashkëpronar i njërit prej laboratorëve është D.S., i dyshuar edhe se kishte sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar në Leposaviq.

Sipas ministrit, njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është vëllai i D.S.

“Policia e Kosovës sot ka shkatërruar 2 laboratorë të drogës në Mitrovicën e Veriut. Bashkëpronar i njërit prej tyre është D.S., i cili sulmoi policët e Kosovës muajin e kaluar. Ai është pjesë e bandave që marrin urdhra nga krimi i organizuar në Serbi. Këto janë të mbështetura dhe të mbrojtura nga Vuçiq, Petkoviç. Ata po përpiqen të destabilizojnë vendin tonë me këto banda kriminale”- ka shkruar ministri në Twitter.

KALLXO.com ka raportuar se bashkëpronari i një prej laboratorëve të drogës në veri, i përmendur nga ministri Sveçla vetëm me iniciale, është Dushan Slaviq 32-vjeçar, i dyshuar për mbi 80 vepra penale.

Bashkëpronari i laboratorit të drogës të zbuluar në veri, i dyshuar për mbi 80 vepra penale