Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ARKEP udhëzon ofruesit e shërbimeve të internetit që të bllokojnë qasjen për dy portale ruse

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka udhëzuar sot të gjithë Operatorët e Shërbimeve të Internetit (ISP) në Kosovë që të bllokojnë qasjen në domene dhe nën-domene për dy portale ruse, ‘Sputnik dhe Russia Today’.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për KALLXO.com, Nazim Rahimi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“ARKEP sot ka udhëzuar të gjithë ofruesit e shërbimeve të internetit, që të respektojnë vendimin e qeverisë, i cili udhëzon që të ndërpriten ueb-faqet e Russia Today dhe Sputnik. Ne i kemi identifikuar domenet dhe IP adresat dhe i kemi udhëzuar operatorët që të ndërmarrin të gjitha veprimet”, tha ai.

Në njoftimin e publikuar në uebfaqen e ARKEP, bëhet e ditur se udhëzimi përfshinë të gjitha domenet përfshirë nën-domenet (të tilla si: www.rt.com, francais.rt.com, *.sputniknews.com, sputniknewslv.com, sputniknews.gr, sputniknews.cn, etj.)

Në shkurt, Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë vendim që të gjithë operatorët e shpërndarjes, përkohësisht t’i largojnë nga transmetimi kanalet me origjinë nga Federata Ruse, me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës.

Bashkimi Evropian, në këtë muaj marrë vendim i cili ndalon transmetimin e mediave shtetërore ruse RT dhe Sputnik, shkak dezinformimi mbi Ukrainën.

Qeveria e Kosovës më 23 mars ka marrë vendim që të ndaloj, transmetimin e mediave propaganduese të Rusisë në Kosovë.

Kompania Meta që ka në pronësi Facebook-ut, Google, YouTube dhe TikTok kanë bllokuar tashmë qasjen e RT-së dhe Sputnik-ut në BE. Twitter-i bëri gjithashtu të ditur se do të pajtohet me ndalimin e vendosur nga BE-ja.

Lajmet e rreme: KPM largon nga transmetimi kanalet me origjinë ruse