Flamuri i Rusisë, ilustrim.

BE ndalon mediat shtetërore ruse RT dhe Sputnik, shkak dezinformimi mbi Ukrainën

Mediat ruse të kontrolluara nga shteti sikurse RT dhe Sputnik do të ndalohen në Bashkimin Evropian. Shkak për vendimin që hyri menjëherë në fuqi janë bërë fushatat e dezinformimin sistematike që këto dy media transmetojnë lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës. Vendimi që u njoftua të mërkurën shihet si një masë e paprecedentë.

Kjo do të thotë që operatorët televizivë evropianë do të ndalohen të transmetojnë, lehtësojnë ose të kontribuojnë në shpërndarjen e çdo përmbajtjeje të televizioneve të RT-së dhe Sputnik-ut.

Gjithashtu do të pezullohen edhe licencat e transmetimit ose marrëveshjet e autorizimit, transmetimit dhe shpërndarjes të nënshkruara mes dy kompanive dhe homologëve të tyre të BE-së. Ndalimi zbatohet për degën angleze të RT-së dhe transmetimet e saj në Britani, Gjermani, Francë dhe Spanjë.

“Manipulimi sistematik i informacionit dhe dezinformimi nga Kremlini zbatohet si një mjet operacional në sulmin e tij ndaj Ukrainës”, thuhej në një deklaratë të shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. “Ai përbën një kërcënim domethënës dhe të drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë publike të Bashkimit Evropian”.

Kompania Meta që ka në pronësi Facebook-ut, Google, YouTube dhe TikTok kanë bllokuar tashmë qasjen e RT-së dhe Sputnik-ut në BE. Tëitter-i bëri gjithashtu të ditur se do të pajtohet me ndalimin e vendosur nga BE-ja./VOA