Logo e Russia Today -= Foto: web screenshot

Rregullatori britanik i transmetimit ia revokon licencën televizionit rus RT

Rregullatori britanik i transmetimit Ofcom ia ka revokuar licencën e transmetimit për kanalin rus të lajmeve RT për të operuar në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ne e kemi bërë këtë në bazë të faktit se nuk e konsiderojmë të licencuarin e RT-së, ANO TV Novosti, të përshtatshëm dhe të duhur për ta pasur një licencë transmetimi në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë Ofcom në një deklaratë.

Ofcom aktualisht po heton 29 ankesa në lidhje me paanshmërinë në lajmet e RT dhe mbulimin aktual të pushtimit rus të Ukrainës, dhe kanali është gjobitur më parë me 237,000 euro për shkelje të rregullave të paanësisë.

Megjithëse RT gjithsesi nuk transmeton në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të një ndalimi të BE-së, Ofcom thotë se mori parasysh një sërë faktorësh të ndryshëm kur mori vendimin e vet për licencën: përfshirë financimin e RT nga shteti rus.

“Ne vërejmë gjithashtu ligje të reja në Rusi që kriminalizojnë në mënyrë efektive çdo gazetari të pavarur që largohet nga narrativa e lajmeve të shtetit rus, veçanërisht në lidhje me pushtimin e Ukrainës. Ne konsiderojmë se duke pasur parasysh këto kufizime duket e pamundur që RT t’i respektojë detyrimet e duhura,  rregullat e paanshmërisë së Kodit tonë të Transmetimit në rrethanat aktuale.”/Euronews