Ambasada amerikane shpreh keqardhje që Lista Serbe thotë se do ta bojkotojë shkarkimin e kryetarëve në veri

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur keqardhje në lidhje me deklaratat e Listës Serbe se nuk do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit që do të mbahet më 21.04.2024.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo ambasadë ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër.

“Shprehim keqardhje për deklaratën e Listës Serbe se do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

Qëndrimi i SHBA-së, sipas kësaj ambasade, është i qartë dhe i pandryshuar.

“Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimet për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës”- thuhet në përgjigje.

Sipas ambasadës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlërësuar përpjekjet e bëra nga Kosova që të lejojnë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik.

“Siç është deklaruar ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata zgjedhin për ta bërë këtë”- ka thënë tutje ambasada.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar të dielën (07.04.2024) se nuk do të marrë pjesë në një referendum për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21.04.2024.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për referendumin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Lista Serbe thotë se s’do të marrë pjesë në referendum për shkarkimin e kryetarëve në veri