Aksion i policisë në Prishtinë, konfiskohen 40 armë e drogë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar 40 armë, drogë dhe ka arrestuar 4 persona, gjatë një operacioni.

Sipas njoftimit, të arrestuarit dyshohen për ‘fajde’, ‘import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërjmetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo e materialeve plasëse’, si dhe ‘mbajtja në pronësi, kontrollë, ose posedim të paautorizuar të armëve’.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorin e shtetit dhe me urdhëresë të gjykatës kompetente, me datë 29.07.2020 në Prishtinë, ka realizuar një plan operativ të koduar “Noli”, me ç’rast është bërë kontrollimi i tri lokacioneve të ndryshme me dyshimin se të njëjtat ndërlidhen me veprat penale të lartëcekura”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 7 armë të llojit AK-47, 2 armë të gjatë, 34 armë të vogla, 1 granatë dore, 8,980 fishekë, 2,580 gram mariuhuanë, 1370 euro, 100 franga, 20 paund dhe 4 telefona celular.

“Poashtu janë sekuestruar edhe pasije për përpunim të armëve, tyta të armëve,  fletore për shënime dhe dëshmi tjera të rëndësishme që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

Pas intetrvistimit, me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.