Aksion i Policisë në Prishtinë e Gjakovë, sekuestrohen kokainë, marihuanë, armë dhe vetura

Hetuesit policorë  nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit  me Narkotik – Sektori Qendror, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, trajtimit të tyre dhe punës operative disamujore në terren, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre të dyshuar për trafikim me narkotik.

Rasti është trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë.

Sipas njoftimit, Policia ka kryer kontrolle në dy lokacione, një në Prishtinë dhe një në Gjakovë dhe janë arrestuar: L.Z. (viti i lindjes 1982, mashkull kosovar), V.M. (viti i lindjes 1993, femër kosovare) dhe F.R. (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar).

Si prova materiale  janë sekuestruar: Dy paketime, dyshohet të jetë kokainë me peshë të përgjithshme 2350 gramë (në vlerë rreth 90 mijë euro) ; Katër qese, dyshohet të jetë marihuanë me peshë të përgjithshme 3696 gramë (në vlerë rreth  5,500 euro); Një  armë e gjatë AK-47 e modifikuar (në vlerë rreth 2,000 euro) ; Shtatë pistoleta (në vlerë rreth 14,000 euro); Para të gatshme 1,645 euro ; Tri vetura, dy me targa të huaja dhe një me targa vendore, si dhe prova të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.