Foto: Durim Shala/ Kallxo.com

Foto: Durim Shala/ Kallxo.com

Nga maji në maj, a po shkojnë drejt fundit pritjet për anëtarësim në Këshillin e Europës?

Qeveria e Kosovës ka pritje të mëdha që fundi i majit, apo fiks dy vjet që nga dorëzimi i aplikimit, do ta zë vendin të anëtarësuar në Këshillin e Europës (KiE), pas lëvizjes së fundit që realizuan, duke kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarë tokë përreth Manastirit të Deçanit.

Ata besojnë që ky ishte kushti i fundit dhe i vetëm, për të arritur të çelin dyert e Këshillit të Europës. E për këtë, partia në pushtet Vetëvendosje ndërruan qëndrimin e tyre në lidhje me aktgjykimin e Kushtetueses, vetëm e vetëm, siç thonë ata, “që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtar”.

Në fakt, ky ishte arsyetimi kryesor që dha ekzekutivi i vendit, atë ditë kur kryeministri kosovar, Albin Kurti, dha dritën e gjelbër se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës, që t’i regjistrojë hektarët në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i cili njëherësh është edhe Udhëheqës i Grupit Ndërinstitucional për anëtarësim në KiE, thotë që nuk iu la asnjë mundësi tjetër përveç saj, pavarësisht bindjeve të tyre që nuk pajtohen me këtë aktgjykim.

“Nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë”- deklaroi edhe kryeministri Kurti më 13.03.2024, e në një vijë mendimi edhe zëvendësministri Ahmeti në një intervistë për KALLXO.com, që thotë se Këshilli i Europës ju tha që çështja e pronave të Manastirit, është kushti i panegociueshëm dhe i menjëhershëm, në mënyrë që të Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Pas 8 vjetësh zvarritje për të zbatuar aktgjykimin e  Kushtetueses nga qeveritë që erdhën me radhë në pushtet, gjë për të cilin Kosova ligjërisht nuk ka tagër legal ta kontestojë, por herëkurdo vetëm ta zbatonte, çudia më e madhe ishte se pse partia në pushtet, Vetëvendosja ndërroi qëndrimin e saj politik. Ngase, sa ishin në opozitë e deri më tani sa janë në pushtet, ishin kokë e këmbë kundër dhënies së këtyre hektarëve.

Megjithatë, Ahmeti beson që kjo çështje mbeti e pazgjidhshme ndryshe. Sipas tij, e morën këtë vendim sepse ishin të kushtëzuar të zgjedhin vetëm këtë shteg, pasiqë interesi për anëtarësim në Këshillin e Europës është shumë i madh.

“Të gjitha të tjerat janë rekomandime jo urgjente të cilat Këshilli i Europës e ka natyrën e tillë si organizatë, disa çështje mund t’i adresosh pasi të bëhesh anëtare, e vetmja ka qenë kjo për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- shprehet Ahmeti.

Çka nëse Asociacioni të jetë kushti tjetër?

Përderisa nga Qeveria e Kosovës thonë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësim në Këshillin e Europës, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar më 15.03.2024 tha që Asociacioni është kusht për anëtarësim.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Europës dhe që po i kërkojnë disa vende europiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”- ka theksuar Escobar, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ndryshe thotë zëvendësministri Ahmeti. Sipas tij, çështja e Asociacionit nuk mund të jetë pengesë as kusht shtesë për anëtarësim në KiE.

“Nuk mund të jetë pengesë, se çështja e Asociacionit është çështje e një procesi tjetër që është në Bruksel me ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Europian dhe është një çështje që nuk ka dakordim as për modelin as për asgjë”- shprehet Ahmeti.

Këtë Ahmeti e arsyeton duke thënë se nuk mundet Këshilli i Europës që të përfshihet në një proces tjetër, që është i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Nuk mundet Këshilli i Europës, të bëhet levë apo instrument i një organizate tjetër e aq më shumë ta vlerësojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë dhe legjislativ në një vend duke u bazuar në veprimet ose mosveprimet, me konstuktivitetin ose moskontruktivitetin e një shteti tjetër që është Serbia”- tha Ahmeti.

Ndër rekomandimesh të tjera, në raportin e Juristëve Eminentë të publikuar në dhjetor 2023, parashihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Raporti i ekspertëve, është pjesë e analizave që do të vlerësohen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës para se kërkesa e Kosovës për anëtarësim të hidhet në votim.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, është përfshirë si pjesë e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Pse e lëshuan bajrakun partia në pushtet?

Për të ardhur deri te zbatimi i vendimit të Kushtetueses, i dyti i Ministrisë së Jashtme, njëherësh edhe anëtar i Këshillit të Vetëvendosjes, Kreshnik Ahmeti, thotë se kishin pasur “diskutime të gjata dhe shterruese” brenda këtyre dy zyreve ku punon.

“Çfarë mund të them është që, kryeministri Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje njëkohësisht nuk ka pasur konsensus në lidhje me këtë vendim as me kabinetin qeveritar e as me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje” – shprehet Ahmeti.

Ahmeti thotë që çështja e Manastirit të Deçanit ka qenë me të vërtetë një “çështje komplekse dhe e ndjeshme” me të cilën janë marrë, por ka qenë kusht i patjetërsueshëm për t’u anëtarësuar në KiE.

E që është kusht që nuk ka gjasa që të ndryshoj, Ahmeti tha që është identifikuar për herë të parë në kuptimin formal në raportim nga Juristët Eminentë të Këshillit të Europës, dhe është rekomandimi i vetëm që duhet të ketë zbatim të menjëhershëm. 

Sipas Ahmetit, çasti kur janë bindur se zbatimi i aktgjykimit është rruga e vetme, ka qenë gjatë vizitës që kanë pasur në janar të vitit 2024 në Strasburg të Francës në Asamblenë Parlamentare së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në raportin e Juristëve Eminentë u kërkua nga Kosova të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të respektojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mos dërgojë njësi speciale të policisë për detyra të zakonshme në pjesën veriore të Kosovës.

Se a kishte urgjencë që të bëhej një gjë e tillë pikërisht në këtë kohë dhe aq papritur, Ahmeti thotë që qëllimi i tyre ka qenë të anëtarësohen këtë vit në Këshillin e Europës.

“Afatet ishin në fund sepse mundësia e radhës ka mbetur që më së largu më 22 mars të thirret mbledhja e jashtëzakonshme vetëm për këtë çështje, e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”- thotë Ahmeti, teksa për Kallxo.com, KiE tha që më 27.03.2024 do mbahet mbledhja e Komitetit.

Sipas Ahmetit, kur të aprovohet opinioni dhe raporti i raportueses për Kosovë Dora Bakoyannis, procesi do të shkojë në Asamblenë Parlamentare në javën e 15 prillit, me ç’rast me ⅔ do duhet të aprovohet. 

Ndërkaq, në javën e 13 majit Ahmeti thotë që do të mbahet Ministeriali i Ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve anëtare, ku me  ⅔ të votave në favor të Kosova do ta marr ftesën të jetë pjesë e Këshillit të Europës.

Këshilli i Europës në përgjigjjen për KALLXO.com, nuk konfirmoi data tjera pos 27.03.2024, pasi që sipas tyre nuk dihet si do të rrjedh procesi deri në fund, për shkak se ka akoma debate e procedura.

Ndër të tjera, Ahmeti thotë që anëtarësimi në KiE hap shumë dyer për integrime më të shpejta në Bashkimin Europian, në NATO, e për qytetarët kosovarë të qasen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Të vërtetohet sundimi i ligjit në Kosovë”

Që të vërtetohet sundimi i ligjit në Kosovë, se si ekzekutivi nuk vë në pikëpyetje pushtetin e gjyqësorit, parasysh nuk u morën aktgjykimet tjera të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm ai për 24 hektarët tokë i vitit 2016.

Kështu tha edhe zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, duke theksuar që ka qenë e pamundur që të largohet ky kusht që “në sytë e Këshillit të Europës nga Strasburgu ata e shohin sundimin e ligjit si shtyllën kryesore që e përcakton pastaj edhe drejtësinë përbrenda vendit por edhe demokracinë dhe zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”.

Por, pse nuk u kërkua nga Këshilli i Europës që të argumentohet fuqia e sundimit të ligjit në Kosovë përmes zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses për Fabrikën e Tubave në Ferizaj?

“Nuk jemi ne ata që e kemi vendosur kushtet vetes, kanë qenë ata që na i kanë vendosur kushtet neve. është përmendur edhe ky rast, por siç duket sipas argumentimit të tyre ky rast [i Manastirit të Deçanit] ka të bëjë me minoritetet etnike, prandaj ka marrur edhe një ndjeshmëri më të madhe duke pasur parasysh natyrën e Këshillit të Europës”- tha Ahmeti.

Sipas tij, ky ka qenë argumenti i tyre gjatë bisedave që kanë pasur në Këshillin e Europës.

Problematika e pronave në Deçan e ka zanafillën në vitin 1946, kur Manastirit i Deçanit u shpronësua nga disa ngastra toke.

27 vjet më parë, Qeveria serbe me Sllobodan Millosheviqin në krye, lidhi një marrëveshje me Manastirin e Deçanit me të cilën këtij manastiri i fali 24 hektarë tokë.

Përndryshe, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut ndër vite kishin protestuar me dhjetëra herë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Në vitin 2000, të larguarit me dhunë nga puna në Fabrikën e Tubave, gjatë regjimit serb 1989-1999, e paditën fabrikën në Gjykatën Komunale në Ferizaj, në kërkim të së drejtës personale. 

Gjykata vendosi që atyre t’iu jepej kompensimi për 10 vjet sa nuk kishin marrë paga. Vendimin e Gjykatës Komunale e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por shumën në vlerë prej më shumë se 30 milionë eurosh, të 912 punëtorët nuk i kanë marrë asnjëherë.

Votat që caktojnë fatin e Kosovës

Kosovës i duhen ⅔ e votave të 46 vendeve të Këshillit të Europës në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

Në mesin e shteteve që do vendosin për fatin e Kosovës janë edhe Serbia, Ukraina, Spanja, Qipro, Sllovakia, Moldavia e Greqia, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17.02.2008.

Sidoqoftë, zëvendësministri Ahmeti beson që do arrijnë t’i kenë më shumë se 33 vota, pasi që që gjatë kësaj kohe kanë rregulluar raportet edhe me disa vende mosnjohëse.

“Jam optimist që edhe Hungaria do të votojë në favor në Komitetin e Ministrave për dallim nga niveli i ambasadorëve”- tha Ahmeti, pasi që e njëjta kishte votuar kundër herën e kaluar, në mbledhjen e mbajtur më 24.04.2023.

Përkundër lobimit intensiv të Serbisë kur Kosova aplilkoi në Këshillin e Europës, që Kosova mos të bëhet anëtare e KiE, Ahmeti thotë që fushata e Serbisë është zbehur me kalimin e viteve.

“Në shtator të vitit 2022 kur Departamenti Ligjor i Këshillit të Europës konfimoi që Kosova mund të bëhet anëtare e plotë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore, këtu Serbia e ka kuptuar që nuk mund ta ndalë rrugëtimin e Republikës së Kosovës”- tha Ahmeti.

“Me Serbinë pasur një betejë të non-paperave”- shtoi Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti tha që Serbia vazhdon me fushatën e tyre dezinformuese, pasiqë Këshilli i Europës ka të bëjë me liritë civile e të drejtat e njeriut, por se i kanë marrë parasysh qysh herët narrativat dezinformuese të Serbisë.

Në mesin e 11 neneve të Marrëveshjes Bazë të ujdisë në Bruksel më 27.02. 2023, parashihet që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949. Në vitin 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, KiE përjashtoi Rusinë, duke mbetur kështu 46 shtete.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim më 12.05.2022.

“Ne do jemi vendi i 47-të në Këshillin e Europës”- shprehet Ahmeti.