Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abrashi: Problemi i Trepçës dhe Telekomit zgjidhet me privatizim

Deputeti nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi, i ftuar në emisionin e KALLXO.com për të folur rreth largimit të rentës minerare për kompanitë e gurthyesve, e paraparë me Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, ka folur edhe për problemet e ndërmarrjes Trepça.

“E vetmja metodë qysh zgjidhet problemi i Trepçës por edhe i Telekomit është vetëm privatizimi, nuk ka metodë tjetër”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, të gjitha studimet e fizibilitetit në ndërmarrjen Trepça tregojnë se përqindja e metalit është jashtëzakonisht e madhe, duke treguar edhe ndarjen në përqindje në rast të privatizimit.

“Nuk e kam asnjë dilemë që atë 80% që e ka Qeveria e Kosovës me ia dhënë 51% një investitori të huaj, për shembull kanadez, që kanë përvojë në miniera dhe minerale. Ia jep 51% nën kushte për investime të caktuara së bashku edhe obligimet për rentë minerare që nuk kanë paguar, 29% i merr qeveria, dhe pjesën tjetër e mbajnë punëtorët”, ka thënë Abrashi.