Trepça

Drejtori i Trepçës - Gazmend Abrashit: Ka deputetë që Trepçën e shohin me logjikën e tuxharit

Drejtori i bordit të ndërmarrjes Trepça Shyqyri Sadiku ka reaguar pas deklaratës së deputetit të AAK-së Gazmend Abrashi në emisionin ne KALLXO.com, i cili kishte thënë se e vetmja metodë për zgjidhjen e problemit të Trepçës është privatizimi.

Sadiku përmes një shkrimi ka thënë se e brengos fakti sepse edhe sot ka deputetë të tillë që Trepçën e shohin me logjikën e tregtarit.

“Brengos fakti sepse edhe sot ka deputet të tillë që Trepçën e shohin me logjikën e tregtarit (tugjarit), duke mos pasur asnjë zgjedhje konkrete për zhvillimin e vendit, nuk kanë asnjë plan e program konkret, real e të mbështetur në kapacitetet dhe pasuritë minerale të vendit” ka thënë Sadiku.

Ai e ka cilësuar si absurd krahasimin mes Trepçës dhe Telekomit.

Sipas tij, asnjë subjekt politik, asnjë qeveri e ardhshme nuk mund të premtojë zhvillim ekonomik, zbutje të papunësisë, stabilitet e rehati sociale, kur në planet dhe projektet e veta  zhvillimore nuk figuron askund Trepça, e as koncepti e vizioni për pasuritë tjera të shumta minerale.

“Trepçë është :Albaniku, Cërnaci, Bellobërda, Shatorica, Stantërgu, Zijaça, Melenica, Maxhera, Rashani, Batllava, Artana, Kaltërina, Përroi i Thartë, Kishnica, Hajvalia, Badoci etj. Trepçë është i gjithë Brezi xeherorë i Trepçës” ka thënë përfaqësuesi i punëtorëve.

Tutje, ai ka thënë se Kosova është në krizë ekonomike e Trepça është zgjidhja e krizës ekonomike.

Sipas tij, Trepça ka mbi 60 milionë tonë rezerva xeherore të plumb-zinkut, pa llogaritur në potencialin e madh në zonat e lokacionet e tjera të njohura për Trepçën dhe se ajo është në krizë për një qeveri vizionare.

“Një qeveri e cila në rendë të parë duhet ta dijë kush është Trepça, çka ngërthen në vete Trepça, çka do të thotë  Trepça për Kosovën. Kriza financiare është pasojë e problemeve më tepër subjektive të cilat kanë rezultuar me prodhim të ulët që nuk po mbulohen shpenzimet” ka shkruar ai.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Gazmend Abrashi kishte thënë se e vetmja metodë qysh zgjidhet problemi i Trepçës por edhe i Telekomit është vetëm privatizimi dhe nuk ka metodë tjetër.

Sipas tij, të gjitha studimet e fizibilitetit në ndërmarrjen Trepça tregojnë se përqindja e metalit është jashtëzakonisht e madhe, duke treguar edhe ndarjen në përqindje në rast të privatizimit.

“Nuk e kam asnjë dilemë që atë 80% që e ka Qeveria e Kosovës me ia dhënë 51% një investitori të huaj, për shembull kanadez, që kanë përvojë në miniera dhe minerale. Ia jep 51% nën kushte për investime të caktuara së bashku edhe obligimet për rentë minerare që nuk kanë paguar, 29% i merr qeveria, dhe pjesën tjetër e mbajnë punëtorët”, ka thënë Abrashi.