Pishina e Gërmisë, Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook

Abidixhiku: Pishina e Gërmisë ka pasur 18, 600 vizitorë këtë verë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Pishina e Gërmisë ka pasur 18 mijë e 600 vizitorë gjatë kësaj vere.

Këtë ai e ka bërë të ditur pas një vizite që e ka bërë te Bardh Krasniqi, udhëheqësi i ndërmarrjes komunale “Sport Marketing”, që ka në menaxhim Pishinën e Gërmisë.

Në këtë vizitë, Abdixhiku, i shoqëruar nga aksionarët dhe asambleistët Pëllumb Bajqinovci dhe Elmira Nikci – Rexha, ai tha se panë nga afër të gjitha ndryshimet në Pishinën e Gërmisë dhe panë planet e mëdha në vijim.

“Vizituam dhe Benin (Arben Islami) tek fushat e tenisit të dhëna nga ndërmarrja në shfrytëzim. Përkushtimi i tij me fëmijë është vërtetë inspirim. Ka qenë gjithnjë. Një njeri jo vetëm pozitiv, por një shembull përkushtimi për një sport që zhvillohet vetëm falë njerëzve si ai” – ka shkruar Lumir Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për projekte konkrete, ekipe punëtore, njerëz profesionistë e ide “që fjalët e ofendimet si kanë mjet të vetëm ekzistence”.

Pishina e Gërmisë në kryeqytet këtë vit ka nisur punën më 29 qershor.

Gjatë këtij viti komuna ka kryer disa renovime te pishina, e cila është ngjyrosur me të kaltër, po ashtu janë kryer renovime edhe në amfiteatër, banjot publike si dhe hapësirat sportive.