Abdixhiku për punën një vjeçare të qeverisë: Politika e jashtme me skandale e dëme të pariparueshme

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë një konference për media, ka komentuar rreth një vjetorit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Abdixhiku shtoi se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar me dëme të pariparueshme

“Politika e jashtme është karakterizuar me skandale e dëme të pariparueshme për pozitën e vendit shpesh herë me komunikime të turpshme dhe amatoreske. Është karakterizuar me mungesë të takimeve”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ka përmendur edhe procesin e dialogut i cili sipas tij është karakterizuar me mungesë të transparencës.

Kreu i LDK-së, ka folur edhe rreth planit legjislativ.

“Në programin legjislativ për vitin 2021, Qeveria kishte paraparë 186 projektligje, deri me 31 dhjetor janë miratuar vetëm 36. Ndërsa 3 nga 16 ministrat aktual të Qeverisë Kurti kanë aktakuzë. Dorëheqja e ministrave deri në kohën e vërtetësisë së fajësisë së tyre është akt minimal”, tha ai.

I pari i LDK-së shtoi se menaxhimi i pandemisë është shënuar me numrin më të lartë të infektimit dhe vdekjeve.

“Kriza e pandemisë është përcjellë me menaxhim të dobët e shpesh herë skandaloz Qeveria Kurti ka dështuar të implementojë masat e kontrollit në vend”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ka përmendur edhe raportin e Qeverisë me mdiat. Sipas tij Qeveria ka zgjedhur që në vend të informimit të publikut përmes mediave të fillojë një luftë kundrejt tyre.

“Kjo është e paparë më herët në vendin tonë ndërsa e njohur për vendet me demokraci të brishta. Me këtë qasje ndaj medias karakterizohet me mungesë të transparencës. Konsiderojmë që puna e juaj është e drejtë dhe e shenjtë”, ka theksuar ai.

Abdixhiku tha se kjo Qeveri ka dhënë fjalë të mëdha për zgjedhjet e Serbisë, prandaj komunikimi me faktorë ndërkombëtar sipas tij është esenciale.

“Ne qëndrojmë pas asaj rezolute që kemi votuar”, përfundoi ai.

Sot është bërë një vit prej kur ka filluar mandati i Qeverisë Kurti 2.

Gjatë ditës së sotme, edhe Partia Demokratike e Kosovws ka komentuar punën një veçare të Qeverisë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një konferencë për media e ka quajtur qeverinë “të paaftë”.

“Nuk ka një tjetër mbiemër për këtë qeveri veçse e paaftë dhe jo kompetente. Qëndrimi i gjatë në opozitë e patën sjellë një gjendje të zymtë në institucioneve. Premtimet ishin më të mëdha se pritjet. Ky ka qenë konteksti mbi të cilat i ka fituar zgjedhjet LVV më 14 shkurt”, tha ai.