Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Krasniqi e quan të paaftë Qeverinë Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi e ka kritikuar një-vjetorin e punës së Qeverisë Kurti.

Krasniqi në një konferencë për media e ka quajtur qeverinë “të paaftë”.

“Nuk ka një tjetër mbiemër për këtë qeveri veçse e paaftë dhe jo kompetente. Qëndrimi i gjatë në opozitë e patën sjellë një gjendje të zymtë në institucioneve. Premtimet ishin më të mëdha se pritjet. Ky ka qenë konteksti mbi të cilat i ka fituar zgjedhjet LVV më 14 shkurt”, tha ai.

Krasniqi ka thënë se “si rezultat i kësaj paaftësie, Kosova nuk qëndron në partneritetin me aleatët strategjik”.

Kreu i PDK-së foli edhe për disa vendime të qeverisë.

“Kjo qeveri ka themeluar Fondin për sigurime shëndetësore, kjo s’ka qenë në agjendën e tyre reale. Këtë vit mund të flasim për keq menaxhimin e pandemisë, me mjekët që protestojnë, me ikje nga Kosova. Gjatë këtij viti numri i të papunëve është rritur. Një prej skandaleve më të mëdha që mbahen mend ka qenë refuzimi i gazit natyror”, tha ai.

Kryetari i PDK-së ka pasur kritika edhe për politikën e jashtme.

“Gjatë këtij viti në politikën e jashtme ka qenë e keq përfaqësuar, për herë të parë politika e Kosovës ka pasur stagnim. Raportet me Shqipërinë në vend se të afroheshin, janë ftohur”, tha Krasniqi duke shtuar se kryeministri Albin Kurti duhet të tregojë nëse  do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill në Kosovë.