Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku njofton se po nis takimet për 'kapërcimin e izolimit e krizës'

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku këtë javë do të nis takimet e paralajmëruara lidhur me planin e tij për ‘kapërcimin e izolimit e krizës’.

Ai ka njoftuar se të mërkurën do të zhvillojë katër takimet e para, me opinionistë e gazetarë, me organizata të shoqërisë civile, me profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe me biznese nga sektori privat në vend.

“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese” – tha Abdixhiku.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se në takime ka ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë, ata që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik.

“Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës”- ka shtuar ai.

Javën e kaluar, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën “shtet evropian”.

Sipas tij, Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, dhe se Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot.