Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A do të lejojnë ndërtimin fabrikës së çimentos në Klinë, tregojnë kandidatët për kryetar komune

Kandidatët për kryetar të Klinës, në Debat Pernime kanë treguar nëse do të lejojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos tek zona e Gremnikut në Klinë. Kjo çështje është ngritur për debat nga ana e qytetarëve, përmes platformës Zoom.

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Klinës, Esat Raci tha se nuk do të lejojë ndërtimin e kësaj fabrike.

“Jo, nuk do të lejojmë të ndërtohet sepse në shkurt 2020, 5 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticion”, theksoi ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk do të ketë fabrikë nëse ai bëhet kryetar.

“Me mua kryetar nuk do të ketë fabrikë të çimentos. Këtë ua garantoj qytetarëve të Klinës”, u shpreh ai.

Kandidati për kryetar të Komunës së Klinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës Besim Hoti tha se LDK nuk është kundër zhvillimit ekonomik, mirëpo sipas tij për këtë rast ka pasur peticion nga qytetarët për ta kundërshtuar ndërtimin.

“Në Asamble kemi vendos që kjo çështje të pezullohet. Kjo është në gjykatë. Nëse niveli qendror e parasheh që duhet, unë përsëri do ta qes në dëgjim publik dhe bashkë me qytetarët do të vendosim”, tha ai.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Klinës dhe kryetari aktual nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj ka treguar kronologjinë e zhvillimeve në lidhje me fabrikën.

“Ka qenë një peticion që është shoqëruar në Asamble. Kemi marr vendim mirëpo vendimi shkon për vlerësim të ligjshmërisë në ministrinë e linjës, mirëpo ministria e ka kthyer përgjigjen se vendimi i Asamblesë është antiligjor. Unë si kryetar as nuk mundem me ndërtu, as me e ndalë”, theksoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Klinës, diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Klinës; Besim Hoti nga LDK; Esat Raci nga PDK; Lulzim Dragidella nga LVV; Zenun Elezaj nga AAK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Klinës: Fatjona Gashi nga AAK; Marigona Racaj nga LDK; Mendehie Duraku nga PDK; Teuta Mulaj nga LVV.