Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sfidat e Komunës së Klinës për sigurinë publike

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, derisa kandidonte për mandatin e radhës në krye të Komunës së Klinës, kishte folur edhe për sigurinë publike në komunën e tij.

Në ‘Debat Përnime’ gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, Elezaj kishte përmendur edhe familjet të kthyer nga luftrat e huaja.

Ai thoshte se është duke u punuar me fëmijët në edukimin dhe risocializimin e tyre.

“Do të punojmë për krijimin e mekanzimin për informim të rasteve kur rrezikohet siguria. Sigurisht që në Klinë kemi pasur raste të familjeve që janë kthyer dhe kanë pasur probleme nga vendet e krizës. Ne kemi punuar shumë afër bashkë me familjet, iu kemi ofruar edhe edukatorë të veçantë specifik, për tu marrë me edukimin e fëmijëve të atyre familjeve” – kishte thënë Elezaj në “Debat Pernime” më datën 8 tetor 2021.

Më shumë se 1 vit e gjysmë që nga rizgjedhja e tij si i pari i Klinës, zëdhënësja e Komunës Vlora Tafili për KALLXO.com ka thënë se buxheti i Klinës për vitin 2023 është 13 milionë e 51 mijë euro.

Ndërkaq, nga kjo shumë deri më tani për kamera të sigurisë për 2023 janë ndarë mbi 23 mijë me të cilat është nënshkruar një kontratë.

Kontrata është ‘Furnizim me paisje të teknologjisë për siguri në stacionin policor në Klinë’ dhe vlera e kësaj kontrate është 23 mijë e 440 euro.

Për kamera të sigurisë ka edhe kontrata që vazhdojnë nga viti paraprak, si ajo për ‘Mirëmbajtjen e sistemit të kamerave, me vlerë prej 8 mijë e 761 euro.

Si dhe ‘Furnizimi dhe instalimi i kamerave në qytet’ me vlerë 18 mijë e 443 euro.

Më tutje, sipas zëdhënëses Tafili, Komuna e Klinës ka planifikuar buxhet edhe për ndriqimin publik.

30 mijë euro janë ndarë për ‘Zgjerimin e rrjetit të ndriqimit në fshatin Rudicë’. Njoftimi për kontratë është bërë dhe aktualisht është në fazën e procedurave të tenderimit.

Në lidhje me ndriqimin publik, Komuna e Klinës ka edhe disa kontrata të tjera që janë në implementim e sipër, si ajo për ‘Furnizim me material shtesë elektrik për ndriqim’ e nënshkruar në vitin 2022 në vlerë prej 3 mijë e 474 euro.

Një tjetër kontratë është nënshkruar për zgjerimin e rrjetit të ndriqmit publik për fshatrat Perqeve, Shtaricë dhe Shtupel, në vlerë prej 95 mijë e 885 eurove. Si dhe kontrata tjetër për ndriqimin e rrugës kryesore në hyrje të qytetit të Klinës për këmbësor dhe çiklista në vlerë totale prej 74 mijë e 865 eurove.

Sipas zëdhnëses së Komunës, Vlora Tafili, mbulueshmëria e vendbanimeve deri më tani me ndiqim publik është rreth 40%. Sipas aj, komuna ka planifikuar që brenda dy viteve të ketë mbulueshmëri të plotë të të gjitha vendbanimeve.

“Gjatë vitit 2020, përpos riparimit dhe ndërrimit të llambave/trupave ndriçues të dëmtuar në rrugët me ndriçim publik në qytet dhe në shëtitoren përgjatë Lumit Klina, janë instaluar edhe linja të reja në fshatin Sferkë, Volljak, Potërq, Gjurgjevik i Vogël, Zllakuqan dhe disa rrugë në Klinë. Gjithashtu janë kryer intervenime në riparime të stabilimenteve e pajisjeve në shumë rrugë tjera” – ka bërë të ditur ajo.

Një tjetër problem i Klinës, si shumë komuna të tjera të Kosovës janë edhe qentë endacak.

Për trajtimin e qenve endacakë, sipas zëdhënëses Tafili, Komuna e Klinës për vitin 2023 ka planifikuar të shpenzojë 30 mijë euro, por që sipas saj, procedura ka qenë disa herë në ri-tenderim.

Një tjetër kontratë e nënshkruar në vitin 2021 ka qenë për trajtimin e qenve endacakë, në vlerë prej 20 mijë euro, e cila ka përfunduar tash në vitin 2023.

“Qenët endacak mbetët një problem me të cilin si institucion nuk mund ti ofrojmë një zgjidhje të përhershme pa përfshirjen e nivelit qendror, për shkak të buxhetit të vogël që kemi si komunë si dhe akordimi i aktiviteteve të përbashkëta lidhur me strategjinë kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve endacak, përmes masave humane, efektive dhe të qëndrueshme” – ka thënë zëdhënësja Tafili për KALLXO.com.

Sfidë tjetër në sigurinë publike është edhe mungesa e psikologëve nëpër shkolla.

Aktualisht Komuna e Klinës ka 20 shkolla, prej të cilave 18 fillore të mesme të ulta dhe 2 të mesme të larta, ndërsa numri i psikologëve të angazhuar nëpër këto shkolla është vetëm katër.

Zëdhënësja Vlora Tafili ka thënë se ky nuk është numër i kënaqshëm, duke marrë parasysh numrin e nxënësve.

“Shkollat e komunës së Klinës kanë mungesë të psikologëve. Nuk është numri i knaqshëm ashtu siç parasheh Udhëzimi Aadministrativ 34/2014. Sfidë për rekrutim të këtij stafi, bazuar në udhëzimin e cekur mbetët aspekti financiar dhe numri i nxënësve” – ka thënë Tafili për KALLXO.com.

Në anën tjetër, prej që është rizgjedhur Zenun Elezaj në krye të Klinës, në këtë komunë nuk ka pasur ndonjë rast të theksuar të ekstremizmit, radikalizmit apo terrorizmit, ndërsa nuk është organizuar as ndonjë aktivitet, që ndërlidhet me ekstremizmin.

Zëdhënësja Tafili ka thënë se sipas vlerësimeve të organeve përgjegjëse, siguria publike në Klinë vazhdon të jetë e qetë dhe kryesisht stabile.

“Sipas raportimeve në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Klinës dhe sipas raportimeve të komandantit të Policisë së Kosovës, Rajonit në Klinë, që është pjesë përbërëse e këtij organi, gjendja e siguris në komunën tonë vlerësohet të jetë e qetë dhe stabile” – ka thënë ajo.