Klina. Foto: Kallxo.com

Matja e premtimeve të Zenun Elezajt për sigurinë publike të Klinës

Në kohën kur Zenun Elezaj po garonte edhe për një mandat për të parin e Komunës së Klinës, ka shpalosur planet e tij në lidhje me sigurinë publike dhe në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Elezaj në “Debat Pernime” kishte përmendur familjet e të kthyer nga lufta.Ai në tetor të vitit 2021 thoshte se janë duke punuar me fëmijët në edukimin dhe risocializim e tyre. 

“Do të punojmë për krijimin e mekanzimin për informim të rasteve kur rrezikohet siguria. Sigurisht që në Klinë kemi pasur raste të familjeve që janë kthyer dhe kanë pasur probleme nga vendet e krizës. Ne kemi punuar shumë afër bashkë me familjet, iu kemi ofruar edhe edukatorë të veçantë specifik, për tu marrë me edukimin e fëmijëve të atyre familjeve” – kishte thënë Elezaj në “Debat Pernime” më datën 8 tetor 2021.

Pas rreth një viti, lidhur më këtë, në një prononcim për KALLXO.com Zenun Elezaj ka deklaruar se programi që kanë pasur bashkë me institucionet tjera qendrore ka përfunduar dhe se fëmijët e familjeve të kthyer nga lufta në Siri janë risocializuar. 

“Familjet që janë kthyer nga vendet e krizës – Siri edhe Ministri e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Arsimit kanë pasur problem që bashkë me i rintegru dhe trajnu familjet i cili program ka përfundu, dhe tani fëmijët janë risocializu dhe janë në sistem të rregullt arsimor sepse iu janë rikthyer jetës si pasojë e ndërhyrjes së të gjitha këtyre institucioneve” –  u shpreh Elezaj.

Krahas sigurisë publike, Elezaj premtonte monitorimin e qytetit dhe të gjitha objekteve publike arsimore me sistemin e kamerave. Komuna e Klinës i ka gjithsej 29 institucione të arsimit.

Ai ka thënë se në vitin 2022 do të kompletohet ndriçimi publik në të gjithë terriorin e komunës së Klinës. 

“Do të vazhdojmë të monitorojmë qytetin dhe të gjitha objektet publike arsimore, përmes sistemit të kamerave. Do të kompletohet edhe ndriçimi publik në vitin 2022, komplet në territorin e komunës së Klinës” – ka thënë Elezaj

Ndërkaq sot, kryetari Elezaj thotë se është kompletuar projekti për kamera në të gjitha objektet arsimore në Klinë.

“Është hapë tenderi dhe tani është kompletuar monitorimi me kamera i të gjitha objekteve arsimore në komunën e Klinës. Rreth një muaj është kompletuar sistemi i kamerave nëpër shkolla” – u shpreh ai. 

E për premtimin për ndriçimin publik, Elezaj thotë se është e pamundur që të përfundojë këtë vit pasi që sipas tij, për shkak të rritjes së çmimit të materialit ndërtues, është ndërprerë kontrata me operatorin. 

“Ndërsa në drejtim të ndriçimit publik në premtime të fushatave e kam dhënë për vitin 2023, jo për këtë vit. Në atë drejtim kemi pak vonesa sepse kontrata aktuale është me kompaninë si pasojë e rritjes së çmimeve, ka ndodhur ndërprerja e kontratës me operatorin sepse nuk ka qenë në gjendje me e mbështet projektin me çmimin që është rrit” – u shpreh ai.

Elezaj ka deklaruar se kanë ndarë edhe mjete buxhetore për këtë projekt për vitin e ardhshëm. 

“Tani kemi filluar procedurën e re për mbulimin e komunës së Klinës me ndriçim publik. Kemi paraparë edhe mjete buxhetore për vitin e ardhshëm, por mund të them lirisht që kemi zhvendosje të voneses për një vit. Sepse për këtë vit kemi pasur pak aktivitete, këtu mund të themi që do të jemi më vonesë. Por po besoj që nuk do të ketë pengesa se ai mund të realizohet edhe gjatë sezonit të dimrit” –  u shpreh ai në një prononcim për KALLXO.com në muajin tetor 2022. 

Më 5 gusht 2022, Komuna e Klinës ka nënshkruar kontratë për furnizim dhe instalim të kamerave në shkolla dhe institucione të komunës. 

Vlera e parashikuar ka qenë 34 mijë e 500 euro. Por tenderi u dha më 18 mijë e 443 euro.

Më 6 tetor 2022, Komuna e Klinës përmes një komunikate për media kishte bërë publike se është bërë vendosja e kamerave në të gjitha shkollat e Klinës. 

“Një projekt i tillë ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e menaxhmentit të shkollave dhe një premtim i imi gjatë fushatës zgjedhore, që tashmë është realizuar” – thuhet në këtë njoftim. 

“Psikologët, çdo pensionim të ri aty ku mund të bëhet, sepse ju e dini që angazhimi i psikologëve varet edhe nga vendet e punës që janë të lejuar, por minimumi 5 psikologë do t’i angazhojmë mandatin e ardhshëm”

Për të mbuluar shkollat me psikologë, në planet e kryetarit Zenun Elezaj është që dikë nga personeli i arsimit, në këtë rast përmend sekretarin, që ta pensionojnë dhe të destinohet për psikolog. 

Ai u shpreh se deri më tani nuk kanë angazhuar psikolog të ri por që janë duke u angazhuar në këtë drejtim.

“Ne kemi bë kërkesë dhe ende nuk kemi aprovim të numrit të psikologëve, po bëjmë përpjekje që pensionimet aty ku mund ta pensionojmë, naj sekretar, po shofim mundësinë me ridestinu me bë psikolog. Kemi dhënë një pretim që do t’i kemi pesë psikologë gjatë mandatit mirëpo kjo sigurisht që është duku diskutu jemi të angazhuar, por deri të tani nuk kemi arritur që të kemi psikolog të ri. Një psikolog të ri e kemi punësu në Shtupel, e kemi gjetur një pozitë të lirë, mundësi që gjatë mund do të vazhdojnë përpjeket edhe përmes ministrisë së arsimit që të na lejohën pozita shtesë. Edhe ky proces ësht ënë rrugë të mire, edhe masht ka premtime që do ta realizojë” – u shpreh kryetari Zenun Elezaj.