54 pacientë të shtrirë në Infektivë, tre në gjendje të rëndë

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, sot janë të shtrirë për mjekim 54 pacientë të sëmurë nga coronavirusi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai njoftoi se në pritje të rezultateve janë 7 raste, ndërsa 8 raste janë testuar dhe kanë rezultuar negativ për COVID- 19.

Nga 54 raste të infektuar prej tyre, 41 raste janë në gjendje stabile; 10 raste janë në gjendje të rëndë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive dhe në mjekimin intensiv vazhdojnë të jenë në gjendje kritike tre (3) pacientë, prej të cilëve njeri është në oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe dy pacientë janë në ventilim mekanik.

Ndërkaq, sa i përket stafit të Klinikës Infektive, nuk ka raste të reja të infeksionit brenda-spitalor.

Deri më tani numri i të prekurve me COVID-19 ka arritur në 377, prej tyre 63 të shëruar dhe 8 të vdekur.