20,339 familjeve në asistencë u procesohen pagesat për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje

20,339 familje në asistencë përfitojnë nga subvencionimi i Qeverisë së Kosovës për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se janë procesuar pagesat në kuadër të këtij subvencionimi.,

‘’Është bërë procesimi i pagesës së subvencionit për ngrohje, për familjet në asistencë sociale, masë kjo e mbështetur nga Bashkimi Evropian. Qeveria për të gjithë!’’ – ka shkruar ministri Murati në profilin e tij në Facebook.

Sipas këtij subvencionimi, secila familje do të përfitojë 120 euro për blerjen e lëndës djegëse dhe për çdo anëtar të familjes Ministria e Financave do të subvencionojë edhe 30 euro shtesë.

Nëse një familje ka katër anëtarë ajo do të subvencionohet direkt në llogarinë bankare të kryefamiljarit me 240 euro shtesë, pra 120 euro për familje dhe 30 euro për secilin anëtar.

Më 6 dhjetor, Ministria e Financave kishte njoftuar se Qeveria e Kosovës do të subvencionojë 21 mijë familje në asistencë për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje.

Ndërkaq, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 22 nëntor, ishte miratuar ndarja e 5 milionë eurove nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, si mbështetje shtesë për familjet në asistencë sociale gjatë stinës së dimrit.

Ministri Murati kishte njoftuar se kjo mbështetje financiare vjen nga Pakoja Energjetike e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila kap vlerën 75 milionë euro në total.