Policia e Kosovës
12-vjeçari voziti veturën e babait, lëndon motrën e tij që tentoi ta ndalonte
19.8.2025 - 09:59
Një incident është raportuar se ka ndodhur të dielën më 17.08.2025 në fshatin Llabjan të Novobërdës, ku një fëmijë rreth 12-vjeçar ka marrë veturën e babait të tij dhe ka filluar ta ngasë në oborrin e shtëpisë.
Policia ka njoftuar se gjatë kësaj kohe, motra e tij kishte tentuar ta ndalonte, por është goditur nga vetura dhe ka pësuar lëndime trupore.
“E mitura është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.