MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.

Takimi që nuk ofroi zgjidhje për perimetrin e Qendrës Historike të kryeqytetit, reagon MKRS

Një takim me përplasje verbale është zhvilluar sot, më 01.07.2025, mes përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës. 

Takimi kishte për synim bashkëbisedimin dhe koordinimin institucional lidhur me shqyrtimin e draftit final për konservimin dhe përcaktimin e perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës. 

Ndërsa, këshilltarja për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Gjejlane Hoxha është shprehur se ky draft-dokument është detyrim dhe i njëjti krijon kushte për ruajtjen dhe manaxhimin sa u përket zhvillimeve në Qendrën Historike të Prishtinës.

Në kuadër të projektit të planit për menaxhimin e Qendrës Historike të Prishtinës, me partner UN Habitatin në Kosovë, është mbajtur ky takim për të prezantuar Planin e Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar të Qendrës Historike të Prishtinës.

Mirëpo, ky plan i propozuar u kundërshtua nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, pasi që, në bazë të asaj që u prezantua, kufiri i hartës që përcakton Qendrën Historike të qytetit kishte pësuar ndryshime në disa vende dhe ishte zgjeruar në dy pjesë.

Ndërsa, gjatë takimit, drejtori i Infrastrukturës i Komunës së Prishtinës, Sokol Havolli, u shpreh se ndalimi i projekteve të Komunës ka bazë politike.

Për këtë, dhe pretendimet për bllokimin e projektit në rrugën “Xhorxh Bush”, Hoxha tha se drejtori Havolli nuk bazohet në legjislacion. 

“Z. Havolli ka krijuar një koncept vetanak, duke mos u bazuar në legjislacion, përmend bllokada, ndërsa bllokada po krijohet në shpërfillje të rregullave ligjore. Projekti “Xhorxh Bush” është pjesë integrale e hapësirës së mbrojtur të Qendrës Historike. Ky projekt duhet të vendoset brenda binarëve ligjorë, gjë e cila mundëson progres”- është shprehur Hoxha.

Sipas Hoxhës, korniza ligjore ndërkombëtare dhe nacionale për trashëgiminë kulturore është e panjohur në Kosovë dhe se dokumenti që u prezentua sot në takim nuk përcakton kufijtë ngase plani i kufijve është pjesë e dokumentimit të asetit në mbrojtje. 

Lidhur me këtë, ajo shkruan se ruajtja, menaxhimi dhe zgjerimi apo ngushtimi i kufijve të fushës së konservuar arkitekturore, kërkon Planin e Konservimit dhe Menaxhimit.

“Ky dokument krijon kushtet për regjistrim të çdo parcele në planet kadastrale të dy niveleve, komunë dhe qendror. Ndërsa, zbatimi i kësaj detyre nuk është vetëm e institucioneve të , komunat dhe MMPH kane obligime”- është shprehur ndër të tjera Hoxha.

Ngjashëm ka pasur reagime edhe nga përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Merita Augustini Nrecaj, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të kësaj Ministrie dhe njëherit anëtarja e komisionit të shkallës së dytë kundër vendimeve të IKMM-së, ka folur konkretisht për punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.

Sipas Merita Augustini Nrecajt, punimet e projektit në fjalë nuk janë ndaluar duke u bazuar në draft-planin e menaxhimit të konservimit të Qendrës Historike të Prishtinës, siç po pretendojnë komunarët. 

Merita Augustini Nrecaj thot se ato punime janë ndaluar bazuar në kufijtë e Qendrës Historike të qytetit të vitit 2020, me të cilat ka hyrë në mbrojtje të përkohshme dhe si të tillë edhe perimetri, edhe zona e mbrojtur kanë status ligjor.

Ajo rithekson se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” janë ndaluar për shkak se Komuna e Prishtinës nuk ka marrë pëlqim paraprakisht nga IKMM.

Tutje, Merita Augustini Nrecaj thot se nuk qëndron as pretendimi tjetër i Komunës së Prishtinës se MKRS posedon vetëm listën e aseteve të trashëgimisë e që zyrtarët e saj nuk dinë se ku ndodhen ato asete. 

“Para finalizimit të listës, institucionet e trashëgimisë kulturore e bëjnë inventarizimin-dokumentimin e regjistrimin, i dërgojnë si propozime në IKMM, nga IKMM propozohen në komision të DTK-së, dhe pastaj Ministri nxjerr vendim për asetet të cilat hyjnë në mbrojtje. Pra çdo listë posedon vendimin e Ministrit, e çdo emer në listë një dosje për asetin. Po ashtu institucionet e TK çdo vit e njoftojnë Komunen dhe pronarët për asetet në mbrojtje”- shkruan Augustini Nrecaj. 

Në fund, Merita Augustini Nrecaj, në emër të Ministrisë së Kulturës, u ka bërë thirrje komunarëve për bashkëpunim më të mirë.

“Edhe në rastet kur janë pranuar në parim projektet e Komunes, si në rastin e nënkalimit të rugës ‘Agim Ramadani’, si Komision i shkallës së dytë në MKRS, është shfuqizuar vendimi i IKMM për refuzim, dhe është kërkuar plotësim i projektit nga Komuna, për tu rishikuar në IKMM, mirëpo Komuna nuk e ka plotësuar fare projektin sipas rekomandimeve dhe e kanë dorëzuar projektin e njëjtë në IKMM” – përfundon ajo. 

Në anën tjetër, pas takimit që është mbajtur sot mes këtyre palëve të përfshira në këto diskutime, ka reaguar edhe drejtori i Infrastrukturës, Sokol Havolli. 

Ai përmes rrjeteve sociale ka shkruar se Ministria e Kulturës ‘kundërligjshëm ka ndaluar punët në projektet në Prishtinë’. 

“Këtë sot e pranuan edhe disa nga pjesmarrësit e grupit punues të dokumentit “Plani i konzervimit dhe menaxhimit të integruar të qendrës historike të Prishtinës.Ministria ka abuzuar me institucionet që duhet të jenë teknike dhe profesionale për të bllokuar projektet”- ka shkruar Havolli, të martën, më 01.07.2025. 

Sipas Havollit, harta e zonës së mbrojtur asnjëherë nuk është miratuar, si dhe ajo e vitit 2020 nuk është shpallur në Gazetën Zyrtare dhe regjistruar në regjistrat kadastralë për të gëzuar statusin juridik të asetit nën mbrojtje.

Pra, sipas tij, punimet janë ndaluar bazuar vetëm në harta të paaprovuara.

Në kohën e përplasjeve verbale mes komunarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të nivelit qendror është mbajtur sot një takim mes këtyre palëve me qëllim bashkëbisedimin dhe koordinimin institucional lidhur me shqyrtimin e draftit final për konservimin dhe përcaktimin e perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës.

Takimi mes përplasjesh e pa zgjidhje në mes të përfaqësuesve të MKRS dhe Komunës së Prishtinës për perimetrin e Qendrës Historike

Sipas tyre, ky draft-plan ka të bëjë me përfshirjen e kushteve dhe rregullave për zonat mbrojtëse, ndarjen e Qendrës Historike në shtatë zona konservuese dhe përcaktimin e parametrave ligjorë për ndërhyrje në zonën e mbrojtur.

Mirëpo, ky plan i propozuar u kundërshtua nga përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës.

Tre drejtorët e Komunës që ishin të pranishëm, ai i Inspektoratit, Sokol Havolli, i Transformimit, Gëzim Kastrati dhe ai Planifikimit Strategjik, Arbër Sadiki, nuk u pajtuan me këtë plan pasi që, në bazë të asaj që u prezantua, kufiri i hartës që përcakton Qendrën Historike të qytetit kishte pësuar ndryshime në disa vende dhe ishte zgjeruar në dy pjesë.

Ndërsa, sipas, arsyetimit të përfaqësuesve nga MKRS kjo ndërhyrje në hartë është bërë për shkak të hyrjes në fuqi të një rregulloreje për përcaktim të perimetrit në zonë mbrojtëse, me ç’rast disa prej aseteve nën mbrojtje janë hequr apo shtuar në hartë.

Në fund të takimit, palët vendosën që brenda periudhës trejavëshe, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës t’i adresojnë çështjet dhe komentet e tyre për këtë draft-plan, në mënyrë që mes palëve të arrihet një dakordim për të vazhduar shqyrtimin e projekteve, të cilave u janë ndërprerë punimet në qytet.

Kurse, Gjykata e Prishtinës në trajtimin e rastit për punimet në sheshin “Xhorxh Bush” ka marrë vendim me të cilin ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka të drejtë të paraqesë padi në Gjykatë kundër vendimit të Inspektoratit i cili ia kishte ndaluar punimet në shesh. Kjo pasi Inspektorati sipas Ligjit është organ që ka këtë kompetencë.

Dy ditë pasi Përparim Rama përuroi fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kishte vendosur një njoftim me të kuqe se “ndalohen punimet” më 12.03.2025.

Punimet që rinisën nga Komuna më 28.04.2025 u ndërprenë prapë. Kjo pasi Inspektorati konsideroi se nuk janë marrë pëlqimet e nevojshme për punime në një zonë ku ka monumente të trashëgimisë arkitektonike e kulturore.

Më 29.04.2025 Inspektorati për Trashëgimi në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit doli në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë, duke vendosur shirita për ndërprerje të punimeve.

Në anën tjetër kryetari Përparim Rama deklaronte se punimet janë duke vazhduar dhe se ky projekt do të realizohet.

Ideja për ta kthyer rrugën “Xhorxh Bush” në një hapësirë më të gjerë për këmbësorë dhe çiklistë u propozua për herë të parë në vitin 2019.

Atëherë kompania britanike “Mott MacDonald” zhvilloi Planin 12-vjeçar të mobilitetit për kryeqytetin, gjatë mandatit të ish-kryetarit Shpend Ahmeti.

Përveç sheshit “Xhorxh Bush”, Komunës së Prishtinës iu ndalën punimet edhe në projekte të tjera të nisura në qytet.

Ndalimi i punimeve në rrugën “Qamil Hoxha” e në projekte të tjera, për muaj me radhë, u bënë shkak i përplasjeve të vazhdueshme verbale mes komunarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të nivelit qendror.

Për këto çështje u diskutua gjatë edhe në edicionin e së premtes të emisionit “Kallxo Përnime”, më 27.06.2025.

Përplasje mes Hoxhës dhe Havollit për bllokimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Pse u ndaluan punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë?

Ndërsa, vetë u.d. drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Rrezarta Loxha- Vitaku, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ më 12.04.2025 arsyetoi veprimet për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Sipas saj, Komuna e Prishtinës filloi punimet e këtij projekti pa marrë pëlqimin nga IKMM.

Projekti i sheshit ‘Xhorxh Bush’, Loxha- Vitaku: Është bërë veprimi pa e marrë një pëlqim