Fotografitë e viktimave civile shqiptare të masakrës në Mejë të Gjakovës nga lufta e vitit 1999.

Përkujtohen viktimat e luftës së Kosovës, harrohet muzeu i gjenocidit dhe ai i dëbimit

Kosova ka kujtuar viktimat dhe krimet e kryera gjatë luftës së Kosova në Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimin e këtij krimi.

Por, nuk u tha asnjë një fjalë për fatin e themelimit të muzeut të gjenocidit e as të atij për eksodin.

Vitin e kaluar, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kishte propozuar themelimin e muzeut të gjenocidit dhe të dëbimit, për përkujtimin e viktimave dhe krimeve të kryera nga shteti serb gjatë luftës së Kosovës.

Por, institucionet shtetërore nuk kanë bërë ndonjë hap për themelimin e muzeut të gjenocidit apo dëbimit. Krejt ajo çfarë është bërë për themelimin e Muzeut të Gjenocidit është ndarja e 100 mijë eurove nga Kuvendi i Kosovës pas rishikimit të buxheti në qershor të 2020.

Gjatë një vizite që kishte bërë në Tjegulloren e Prishtinës, në maj të 2019, ish kreu i Kuvendi, Kadri Veseli kishe deklaruar se muzeu i gjenocidit do të shërbejë si qendër dokumentimi dhe hulumtimi për krimet e kryera, si dhe qendër përkujtimi për viktimat e këtyre krimeve, në mënyrë që krime të tilla mos përsëriten më kurrë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila edhe e bartë barrën kryesor për themelimin e një muzeu të tillë, nuk i është përgjigjur interesimit të Kallxo.com, rreth hapave që ka marrë për themelimin e Muzeut të Gjenocidit, deri në publikimin e artikullit.

Në anën tjetër studiuesit dhe historianët që janë marrë me zbardhje e fatit të të zhdukurve dhe zbardhjen masakrave, konsiderojnë se institucionet janë vonuar shumë rreth kësaj çështje.

Studiuesi i gjenocidit serb në Kosovë, Shkodran Imeraj, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë, “Ali Hadri” në Prishtinë, ka thënë për Kallxo.com se Kosova është vonuar shumë në themelimin e muzeut të gjenocidit, i cili sipas tij, do të ishte një nga institucionet ku do të mund të argumentohej gjenocidi serb që është kryer në Kosovë.

Sipas tij, një muze i tillë do të mund të ndahej në seksion për të dokumentuar edhe maskrat e kryera më parë nga Serbia.

Ai ka thënë se një muze i tillë do të ndikon në memorien kolektive, duke pasur parasysh se shumë objekte apo vendmasakra janë shkatërruar dhe vetëm ndonjë pllakat përkujtimore nuk mund ta zëvendësojnë një muze.

“Muzeu për gjenocidin, duhet të jetë edhe pikë e parë e protokollit të shtetit, i cili duhet ta fus si pikë për vizitorë të delegacioneve të huaja që vijnë në Kosovë. Këto delegacione duhet të mësojnë të vërtetën e gjenocidit në Kosovë që ka kryer shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

 

Kosova pa muze për të dëshmuar krimet e luftës së fundit