Kurti kujton masakrën e Polacit: Preokupimi i vetëm i Serbisë ishte fshehja e krimeve dhe zhdukja e gjurmëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar viktimat e fshatit Polac të Skenderajt të vrarë në luftën e fundit.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve.

Në Polac janë vrarë 86 persona, 78 viktima civile dhe 8 ushtarë të UÇK-së.

“Por gjatë ofenzivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera” – thuhet në reagimin e Kurtit.

Për ngjarjet në luftë, kryeministri Kurti tha se shteti i Kosovës do të kërkoi drejtësi.

“Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre!” – thuhet në reagim.