Lufta Izrael - Hamas: Netanyahu thotë se Izraeli do të vazhdojë përpara me pushtimin e Rafahut

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar të dielën (10.03.2024) se do të vazhdojë me një operacion ushtarak në Rafah, ku 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur kërkojnë strehim, pavarësisht paralajmërimit të presidentit amerikan Joe Biden se kalimi i kësaj linje do të ishte i papranueshëm. 

Vërejtjet e Netanyahut vijnë pasi muaji i shenjtë islamik i Ramazanit fillon dhe përpjekjet për të siguruar një armëpushim mbeten të bllokuara. Paralajmërimet e mëparshme nga zyrtarët izraelitë treguan se nëse pengjet e mbajtura në Gaza nuk do të liroheshin para Ramazanit, do të pasonte një ofensivë në Rafah.

Netanyahu siguroi se operacioni në qytetin jugor nuk do të kalojë dy muaj, megjithëse ai nuk ofroi detaje specifike për afatin kohor. Ai hodhi poshtë pohimin e Biden se veprimet e tij janë të dëmshme për interesat e Izraelit duke dështuar në minimizimin e viktimave civile në Gaza.

Sipas dy zyrtarëve amerikanë, administrata Biden nuk parashikon një përshkallëzim të menjëhershëm të veprimeve ushtarake izraelite në Rafah.

Ndërkohë, zhvillimet tjera që ndërlidhen me konfliktin në Gaza janë si në vijim: Shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi kundër një pushtimi tokësor të Rafahut, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme katastrofike.

Hamasi shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar në diskutime të ndërmjetësuara me Izraelin pas negociatave të pasuksesshme të armëpushimit përpara Ramazanit. Megjithatë, Ismail Haniyeh, udhëheqësi politik i Hamasit, këmbënguli për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite si parakusht për çdo marrëveshje. Aktualisht nuk ka një datë të caktuar që negociatorët e Hamasit të kthehen në bisedime në Kajro.

Familjarët e pengjeve të mbajtura në Gaza do të marrin pjesë në diskutimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën në lidhje me një raport të OKB-së mbi krimet e dyshuara seksuale të kryera nga Hamasi.

Një anije që transportonte ndihma humanitare në Gaza ishte planifikuar të nisej nga Qipro të dielën, pasi përpjekjet nga Qipro, Komisioni Evropian, SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Bashkuar kanë si qëllim ta krijojnë një korridor detar për dërgimin e drejtpërdrejtë të ndihmës në Gaza.

Përpara Ramazanit, bashkia e Gazës e rinovoi kërkesën e saj për ndihmë humanitare, veçanërisht karburant për shërbimet thelbësore, gjeneratorë të energjisë elektrike, furnizime me ujë dhe makineri të rënda për menaxhimin e mbeturinave dhe riparimin e infrastrukturës, duke u kërkuar organizatave ndërkombëtare që të ndërhyjnë.

Një rrugë e ndërtuar nga ushtria izraelite që ndan Gazën tani ka arritur në brigjet e Mesdheut, sipas pamjeve satelitore të analizuara nga CNN, si pjesë e një plani afatgjatë sigurie për të ushtruar kontroll mbi territorin.

Mbrojtja Civile e Gazës raportoi të dielën se ndihmat në Gaza nuk e kanë lehtësuar krizën e urisë, por përkundrazi kanë përkeqësuar viktimat dhe lëndimet, pa specifikuar numrin e viktimave apo burimin e ndihmës./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala