Veseli: Muze për gjenocidin, në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se Serbia dhe kriminelët që fshihen në këtë shtet dhe gjetiu, do të përgjigjen për gjenocidin të kryer në Kosovë.

Gjatë një vizite në lokacionin ku do të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit, përkatësisht hapësirat e ish-Tjegullores në Prishtinë, kryeparlamentari Veseli tha se ky muze do të ketë rol edukativ për brezat e ardhshëm, ndërsa paralajmëroi se gurthemeli i tij pritet të vendoset në vitin 2020.

Duke radhitur arsyet e tjera për ngritjen e këtij muzeu, Veseli tha se ai gjithashtu do të shërbejë si qendër dokumentimi dhe hulumtimi për krimet e kryera, si dhe qendër përkujtimi për viktimat e këtyre krimeve, në mënyrë që krime të tilla mos përsëriten më kurrë.

Kreu i Kuvendit falënderoi organizatat dhe mekanizmat e tjerë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët merren me ndriçimin e të vërtetës dhe kanë shprehur interesin për iniciativën. Veseli falënderoi po ashtu Kongresin amerikan për mundësinë që dha që këto krime të rrëfehen.

“Kjo është  një iniciativë që populli i Kosovë e merr për hir të së drejtës dhe të vërtetës. Nuk ka pajtim pa pasur dënim të gjenocidit. Ditën e enjte do të kemi seancë, kur edhe do të themelohet komisioni shtetëror që fillon punën e dokumentimit të së vërtetës dhe më pas inicimin e Tribunalit”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai po ashtu tha se të enjten do të fillohet edhe me Muzeun e Gjenocidit dhe do të propozohet pikërisht ky vend për ndërtimin e tij.

Ai tha se ka aq shumë fakte për krime sa nuk ka mbulesë dhe forcë që mund ta ndalojë këtë Tribunal.

“Serbia duhet të paguajë dhe kriminelët duhet të paguajnë për gjenocidin”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit falënderoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe ministrin e Kulturës, të cilët, sipas tij, po bëjnë një punë të shkëlqyeshme.