Fotografitë e viktimave civile shqiptare të masakrës në Mejë të Gjakovës nga lufta e vitit 1999.

Kosova pa muze për të dëshmuar krimet e luftës së fundit

Dhjetëra masakra ndaj civilëve dhe krimet të tjera të rënda janë kryer gjatë luftës së Kosovës nga forcat serbe, të cilat gjatë përplasje me UÇK-në, nuk kursyen fare civilët.

Ndërsa, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në pranverë të 1999, ato u treguan të pamëshirshme  duke lënë mijëra civilë të vrarë në shumë masakra anembanë Kosovës, dhunime masive dhe përdhosje të kufomave të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj lufte.

Dëshmi të panumërta, fakte dhe rrëfime nga të mbijetuarit rrezikohen të tretën në pluhurin e  harresës, pikërisht për shkak të mungesës së një muzeu që do të rrëfente për mbijetesën e popullit të Kosovës gjatë viteve 1998-99.

Edhe ato pak iniciativa, kryesisht memoriale, sikurse ai në Prekaz i familjes Jashari, apo edhe ndonjë tjetër, fare pak marrin vëmendjen e institucioneve duke u lënë në një gjendje të vështirë.

Pikëpyetje për Muzeun  

Përderisa zyrtarë të Ministrisë së Kulturës nuk kanë një përgjigje rreth mos bërjes së një muzeu të luftës, studiuesi, ekspertë, humanist dhe njohës të zhvillimeve të kohës së luftës kanë thënë për KALLXO.com se kosovarët nuk duhet të harrojnë ‘Holokaustin’ e viti 199/99.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, dhe Ushtruese e detyrës së drejtorit të Muzeut të Kosovës, ka pohuar për KALLXO.com se ka pasur diskutime por pa ndonjë përfundim.

“Ka patur diskutime por deri më tani nuk është konkretizuar kjo çështje, gjithmonë në përputhje me mandatin e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore”, ka thënë ajo, pa sqaruar më tej.

Ndërsa Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën humanitare në Prishtinë, ka pohuar për KALLXO.com se është për keqardhje që 20 vite pas luftës nuk kemi një muze të luftës ku do të pasqyrohej gjithë ajo çfarë kanë përjetuar qytetarët e këtij vendi, ku 13 mijë e 500 njerëz humbën jetën dhe mijëra të tjera u dhunuan,  u rrahën dhe shumë të tjerëve nuk u dihet fati.

“Fondi për të drejtën humanitare me ndihmë e Kuvendit Komunal të Prishtinës ka themeluar një qendër dokumentuese, që e quajmë Qendra e dokumentimit të Kosovës, që është një vend ku merrem informacione të detajuara për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës, dhe atë se si i ka trajtuar këto krime Tribunali i Hagës”, ka thënë Blakaj.

Ai ka thënë se institucionet duhet tëbëjnë një muze të luftës  i cili do të jetë një vend ku qytetarët e Kosovës, por edhe të huajt të shohin dhe të informohen rreth asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

Drejt harresës e kolektive  

Ndërkaq Avni Rudaku, studiuesi dhe njohës i zhvillimeve socio kulturore ka pohuar për KALLXO.com se pasja e një  Muzeu të Luftës, sikurse edhe një Memorial i Luftës me emrat e të gjithë të rënëve, bazuar në fakte, do të ishte shumë me rëndësi sidomos për brezin e ri, por edhe të ardhmen.

“Deri më tash, përkujtojmë shumë përvjetorë lokalë, duke u shkapërderdhur në ngjarje lokale e duke harruar pasojat e të gjithëve, dhe duke mos na ekonomizuar edhe kohën e nderimit protokollar e jashtë formaliteteve. Muzeu i Luftës do të ishte me rëndësi të bëhet edhe pjesë e protokolleve shtetërore”, ka pohuar ai.

Rudaku ka thënë se edhe presionet diplomatike, po ashtu do të neutralizoheshin më shumë, nëse një diplomat viziton muzeun e tillë dhe sheh të kaluarën plot viktima.

Një muze i luftës, shton më tej ai,  do të reduktonte edhe karburantet e veturave zyrtare, pasi nuk do të thotë për çdo ditë, krerët më të lartë të shtetit, të shkojnë në të gjitha zonat lokale për përvjetorë.

“Shumica e përvjetorëve po ashtu s’kanë asnjë kreativitet në organizim dhe janë të marra peng nga politikanët, që shfrytëzojnë retorikën e tyre të dobët në fjalime për rikuperim të imazhit të dërmuar politik”, ka pohuar Avni Rudaku.

Ndërsa historiani Memli Krasniqi, duke folur për mungesën e një muzeu të luftës së viti 1998-99 në Kosovë ka thënë se ne, shqiptarët si tërësi, dhe sidomos elita jonë intelektuale dhe politike, për periudha të gjatë historike janë vonuar dhe po vonohen në marrjen e vendimeve dhe veprimeve të duhura për ardhmërinë e shqiptarëve.

“Ndonëse duhet thënë se ne Muzeun e Kosovës ekziston pjesa që i kushtohet luftës së fundit çlirimtare, përsëri krejt çka duhet bërë është të përcillet përvoja e shteteve të tjera si Izraelit, Polonisë, Turqisë apo Gjermanisë në mënyrën e bërjes moderne të një Muzeu të luftës, ku do të përfshiheshin: masakrat e dokumentuara, eksodi masiv , shkatërrimet e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, pronës private dhe sidomos Lufta e UÇK-së.

Ideja për bunkerin e Ulpianës 

Me gjithë neglizhencën institucionale idetë për themelimin e një muzeu në kujtim të viktimave të luftës nuk kanë munguar iniciativa që kryeqytetit të bëhet me një muze të tillë.

Si  vendi më ideal për realizimin e kësaj ideje është parë edhe strehimorja-bunkeri i kohës së komunizmit në Lagjen Ulpiana në Prishtinë, i cili ishte dedikuar për strehimin e qytetarëve në rast emergjencash.

Shkëlzen Gashi, studiuesi dhe hulumtues i të drejtave të njeriut, ideator i kësaj ideje, më herët pat deklaruar për Birn, se një muze i tillë do të paraqesë dëshmi gjithëpërfshirëse për atë që ndodhi në Kosovë në vitet e dhunshme në fund të shekullit të 20-të.

Sipas tij, muzeu do të portretizonte masakrat kundër civilëve përpara, gjatë dhe pas fushatës së bombardimeve të NATO-s, gjatë luftës së Kosovës, ndërsa një pjesë e muzeut do t’i kushtohet të gjitha komuniteteve të ndryshme që u prekën nga konflikti.

“Do të ketë dëshmi për gratë dhe burrat e dhunuar, burgimet dhe personat e zhdukur. Do të ketë edhe prova për fshatrat e shkatërruara, gratë e mbetura pa burra, familjet që nuk kanë informacione rreth vendndodhjes së të afërmve të tyre, si dhe deportimet masive të popullsisë,” patë deklaruar ai, duke shtuar se përmes tij, do të tregohet edhe për shkatërrimin e objekteve përfshirë shtëpi, shkolla, qendra shëndetësore, fabrika, xhami, teqe dhe kisha.

 

https://kallxo.com/prishtina-planifikon-te-hape-muze-te-luftes/?fbclid=IwAR1-TkMdrzw800pKc81a6di-7W-mpUl-IoHZflY4q62WMMwwp5ACoRIVkqw