array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Postimi i rremë për sulmin me armë ndaj Policisë 

Deklarata

Ky shqipëfolës së bashku me grupin e tij kontrabandistësh me tri vetura dhe një furgon kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës

Media

Vlerësimi

Rrenë

Konstatimi se personi Besim Zeqiri ka gjuajtur në drejtim të Policisë është i pasaktë së bashku me pretendimin se i tërë grupi është arrestuar. Prokuroria e shtetit është duke e hetuar një person tjetër për këtë gjuajtje me armë zjarri i cili sipas dosjes së Prokurorisë është në arrati.

Artikulli

Më datë 11 gusht 2023 faqja e Facebook “Pelqeje faqen nese e perkrahe Albin Kurtin per kryeminister” ka publikuar një fotografi ku shihet Besim Zeqiri, i cili ishte arrestuar po atë ditë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kontrabandim me mallra në veri të Kosovë.

Përshkrimi i kësaj fotografie thotë “Ky shqipëfolës së bashku me grupin e tij kontrabandistësh me tri vetura dhe një furgon kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës”. 

Krypometri ka kontrolluar nëse ky informacion është i saktë.

Për të verifikuar këtë informacion Krypometri ka kontrolluar Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të datës 12 gusht 2023.

Kërkesa e cila përshkruan veprimet e secilit person veç e veç saktëson se një person ende i pa identifikuar kishte gjuajtur në drejtim të Policisë.

“I pandehuri N.N. e ka hapë derën e automjetit të tij dhe ka filluar të shtëjë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, ka dalë nga automjeti dhe kishte ikur në drejtim të panjohur”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë të dates 11 gusht 2023.

Postimi i faqes Pelqeje faqen nese e perkrahe Albin Kurtin per kryeminister tutje pretendon se Policia e Kosovës është kundërpërgjigjur dhe me sukses ka arritur arrestimin e këtij grupi kriminal. 

Prokuroria në dokumentin zyrtar ka konfirmuar se jo të gjithë antarët e grupit janë arrestuar gjatë këtij operacioni.

Kërkesa për paraburgim e dates 11 gusht 2023 konstaton se i dyshuari kryesor për sulm me armë ndaj policisë është arratisur.

Zeqiri i njohur si “Kaça” ishte arrestuar së bashku me vëllaun e gruas së tij Aleksandër Mihajloviq i njohur si “Acko”, Zhelko Koshanin i njohur si “Zeks”, Marko Miljkoviq dhe Jovan Gjukiq. 

Që të pestë u arrestuan nën dyshime për kontrabandim me mallra në veri të Kosovës.

Ndërsa një person tjetër, N.N., dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të policëve, i cili mbeti i paidentifikuar dhe i paarritshëm për organet e rendit.

Zeqiri, në dosje thuhet se ka qenë i përfshirë në plot 34 incidente, shumica prej të cilave janë të natyrës së kontrabandimit të mallrave. Kurse i dyshuari Aleksandër Mihajlloviq ka katër incidente, natyra e të cilave nuk specifikohet. Ndërsa të dyshuarit e tjerë nuk kanë të kaluar kriminale– gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë.

Sipas po kësaj dosjeje, të dyshuarit kanë kontrabanduar mall nga shteti i Serbisë në Kosovë në mënyrë ilegale me qëllim të shmangies së obligimeve doganore mirëpo ishin kapur nga Policia përmes veprimeve operacionale.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja të armës pistoletë dhe një e armës së gjatë. 

Dosja thotë se pas futjes në kontroll të pesë të dyshuarve, është afruar edhe një veturë tjetër të cilën Policia e kishte shenjëzuar të ndalojë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com thuhet se N.N. kishte dalë nga automjeti nga i cili kishte shtënë dhe ka ikur në drejtim të panjohur. I njëjti tanimë ndodhet në arrati dhe mbetet i paidentifikuar për organet e rendit.

“Zyrtari policor i kanë dhënë shenjë të ndalet por i njëjti nuk ka përfillur urdhërat e policëve dhe ka filluar të bëjë lëvizje mbrapa duke tentuar që të godasë policët të cilët ishin pozicionuar në rrugë, gjatë lëvizjes mbrapa i pandehuri N.N. e ka hapur derën e automjetit të tij dhe ka filluar të shtëjë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor”– thuhet në dosjen e Prokurorisë.

 

 

.