Fotografia e rreme për policin e vrarë Afrim Bunjaku
Deklarata
Polici që u vra sot në krye të detyrës i gatshëm çdo herë
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia e publikuar me mbishkrimin “Polici që u vra sot në krye të detyrës i gatshëm çdo herë” është e rreme. Krypometri ka verifikuar se polici në foton e paraqitur nuk është vrarë më datë 24/09/2023.
Artikulli
Më 24 shtator 2023, faqja e Facebook-ut, Ku me shku n’Ferizaj? ka publikuar një fotografi në të cilën shihen disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Mirëpo faqja ka selektuar një prej pjesëtarëve duke pretenduar se është rreshteri i i cili u vra si pasojë e një sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, në mëngjesin e së dielës me 24 shtator 2023.
Fotografia mban përshkrimin “Polici që u vra sot në krye të detyrës i gatshëm çdo herë! Prehu në paqe hero”.
Krypometri ka konstatuar se ky nuk është polici i cili është vrarë në sulmin e datës 24/09/2023.
Krypometër po ashtu ka konstatuar se polici i vrarë ka pamje tjetër dhe nuk ka qenë pjesë e njësisë speciale.
Afrim Bunjaku, polici i rënë në detyrë, ishte intervistuar në vitin 2014 nga Drejtësia në Kosovë dhe në materialin e publikuar në atë kohë ai ka pamje tjetër nga fotografia e publikuar.
Për të verifikuar edhe më tutje këtë informacion, Krypometri ka kontaktuar edhe me familjarë të policit Bunjaku. Valdet Salihu, familjar i ngushtë i policit Bunjaku, i ka thënë Krypometrit se fotografia e publikuar në këtë postim është e rreme. “Në këtë fotografi nuk shihet familjari ynë i cili është vrarë me datë 24 tetor 2023”- ka thënë Salihu.Me rastin e rënies heroike të Bunjakut, një ditë më pas u mbajt edhe mbledhja komemorative si dhe ceremonia e varrimit të tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë. Aty u përmend se polici Bunjaku ishte pjesë e njësive të Policisë së rregullt e jo policisë speciale. Uniformat e policisë së rregullt janë me ngjyrë të kaltërt, ndërsa ngjyrat e njësisë speciale janë me ngjyrë të kaltër të mbyllët.
Presidentja e vendit, në emër të qytetarëve të Kosovës, për Rreshter Afrim Bunjaku ndau post mortem urdhrin më të lartë të Republikës, Urdhërin ‘’Hero i Kosovës’’.