Kosova Pranohet në FIFA

Kosova është anëtarja më e re e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA).

Votimi i cili është mbajtur sot në Mexico City gjatë Kongresit të FIFA-s, i ka hapur rrugën ekipit kombëtar të Kosovës të garojë për kualifikimet për kampionatin botëror të futbollit që do të mbahet në vitin 2018 në Rusi.

Në favor të aplikacionit të Kosovës votuan 141 anëtarë të FIFA-s.

Pranimi i Kosovës në FIFA erdhi një javë pasi Federata Kosovare e Futbollit u pranua në UEFA.

“Moment shumë i rëndësishëm. Lojtarët do ta mirëpresin vendimin. E kemi pritur për kohë të gjatë këtë vendim”, ishte deklarata e parë e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, menjëherë pas kumtimit të rezultatit të votimit.

Vokrri falenderoi të gjithë përfaqësuesit e federatave që e përkrahën anëtarësimin e FFK-së.

“Shpresojmë se ky vendim do të ngrejë ura pajtimi”, tha më pas presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Kështu, Kosova është anëtari i 210-të i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.