Donat Lushaku

Nga drejtor kadastri në zëdhënës të kryeqytetit, rrugëtimi politik i Donat Lushakut

Në mesin e njerëzve që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ua ndryshoi vendin në kabinetin e tij, është edhe Donat Lushaku.

Tashmë ish-drejtori i Kadastrit, Donat Lushaku nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sot ka nisur punën me një pozitë të re.

Donat Lushaku është emëruar zëdhënës i Kryeqytetit.

Ndryshime ka pësuar edhe dikasteri që ai kishte udhëhequr deri sot.

Siç njoftoi kryetari Përparim Rama më 5 shkurt, drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një drejtori të Pronës dhe Kadastrit.

Kjo drejtori do të udhëhiqet nga Doruntinë Maloku.

Maloku ka qenë drejtoreshë e Pronës.

“Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga znj. Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, z. Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit”- njoftoi Rama në “Facebook“.

Kush është Donat Lushaku?

Donat Lushaku u lind në Prishtinë, më 28 janar 1992.

Shkollimim fillor e ka përfunduar në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, ndërsa të mesmen në shkollën profesionale ekonomike-juridike, “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Pas përfundimit të studimeve themelore për drejtësi në Universitetin e Prishtinës (2011-2015), vijoi studimet postdiplomike, ku mori titullin Master në Drejtësi (drejtimi juridik-financiar) nga Universiteti i Prishtinës, në vitin 2017.

Ka qenë pjesë e institucioneve të ndryshme, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Në periudhën 2016 – 2017, është angazhuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Në vitet 2016 – 2017, ka punuar në Zyrën Ligjore të Komunës së Prishtinës, ndërsa nga viti 2017 deri në 2020, ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë – Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Në vitin 2020, mbajti funksionin e këshilltarit politik-ligjor të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Shkak për këto shkarkime e ristrukturim të kabinetit u bë bojkotimi i seancave të partnerit qeverisës PDK, të cilët nuk u pajtuan me këmbimin e pronave në zonën e mbrojtur në Badovc.

Përpos kësaj, PDK në kryeqytet ka dekalruar se nuk u është dhënë hapësirë e mjaftueshme për të kontribuar në hartim të pikave të rendit të ditës dhe ka pasur mungesë transparence.

Ndër personat e parë që u shkarkua nga kryetari Përparim Rama ishte ish drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, nën arsyetimin se nuk kishte menaxhaur si duhet situatën me mbeturina.

E për këtë vendim, Musliu përmes një videoje në rrjetin Facebook u shpreh i shokuar pasi, sipas tij, nuk ishin njoftuar paraprakisht, por vetëm përmes shkrimit në Facebook. Ai madje renditi edhe punët që kishte kryer për të menaxhuar gjendjen me mbeturina në kryeqytet.

Derisa, të hënën, Rama njoftoi edhe për shkarkim të nënkryetares nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, nën arsyetimin se nuk kishte punuar mjaftushëm në digjitalizim, të cilin e kishte pasur qëllim kryesor.

Kujtojmë se Sahatçiu ditë më parë akuzoi kryetarin Përparim Rama se kishte dhënë urdhër për nisje të procedurave për digjitalizim pa njohurinë e saj.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz”- kishte shkruar Sahatciu.

Zyrtarët e PDK-së në kryeqytet kanë potencuar se nuk pajtohen në asnjë mënyrë më këmbimin e pronave në Badovc me prona në lagjen Prishtina e Re.

Derisa, i pari i kryeqytetit pati deklaruar si ky proces kishte nisur gjatë kohës së ish kryetarit, Shpend Ahmeti dhe se po akuzohet pa të drejtë.

Rrugëtimi politik nga NISMA deri në drejtor të ri të Shërbimeve Publike në kryeqytet