Rrugëtimi politik nga NISMA deri në drejtor të ri të Shërbimeve Publike në kryeqytet

Pas shkarkimit të zyrtarëve të partnerit qeverisës, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, njerëzve të partisë së vet, ua ka ndryshuar pozicionet brenda kabinetit të tij.

Bekim Brestovci është vendos në krye të drejtorisë së Shërbimeve Publike. Kjo drejtori është udhëhequr nga Ilirik Musliu i cili u shkarkua nga Përparim Rama, të premtën.

Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.

Por as Bekim Brestovci nuk është emër i ri në kabinet të kryetarit Rama. 

Ai dy vite më parë ishte emëruar këshilltar për investime kapitale, investimet e huaja, zhvillimin e turizmit në zonat rurale si dhe avansimin e sherbimeve publike në kabinetin e kryetarit Rama.

Bekim Brestovci është drejtor Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.

Në vitin 2019, Brestovci iu ishte bashkuar partisë NISNA Socialdemokrate. Në këtë parti ai kishte qenë kryetar dege dhe anëtar i kryesisë qendrore të kësaj partie. 

Ai kishte qenë dy herë pjesë e listës garuese për deputet të Kuvendit të Kosovës por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.

Në vitin 2020, Brestovci me propozim të NISMA-s kishte shërbyer për 10 muaj edhe si zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Meliza Haradinaj – Stublla (AAK) gjatë Qeverisë Hoti. 

Madje, në vitin 2021 ishte kandidat i NISMA-s për kryetar të Komunës së Prishtinës. 

Në janar 2022, ai njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet brenda NISMA Socialdemokrate. 

“Largimi im nga strukturat drejtuese të Nisma Socialdemokrate nuk ka të bëjë me synimin tim për aderim në ndonje Parti politike por eshtë nje shprehje e vullnetit tim personal për të vazhdu aktivitetin tim të mëtutjeshëm pa përkatësi politike” – kishte thënë Brestovci më 19 janar 2022. 

Gati një muaj pas atë vit, Brestovci u emërua këshilltar për investime kapitale, investimet e huaja, zhvillimin e turizmit në zonat rurale si dhe avansimin e sherbimeve publike në kabinetin e kryetarit Rama.

Më 5 shkurt 2024, Rama e prezantoi Bresovcin si drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Nga ai, kryetari Rama thotë se pret që t’i japë fund problemit të mbeturinave.

“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie” – ka shkruar Përparim Rama në “Facebook”.

Kryetari i Komunëss së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar më 2 shkurt se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Sipas Ramës, në cilësinë e kryetarit, ka ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj “mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë”.

Një ditë pas, Musliu përmes një video në “Facebook” ka thënë se është i shokuar nga vendimi për lirimin nga detyra për shkak se, sipas tij, vazhdimisht është përgëzuar nga kryetari Rama për përformancen e tij.

“Jam totalisht i habitur dhe i shokuar nga ky vendim, për faktin se me angazhimin, vullnetin dhe punët e shkëlqyra gjithmonë në bashkëpunim me kryetarin Rama, e këtë më së mirti e dëshmon fakti së rreth 70 për qind të prezantimit të punëve dhe projekteve nga kryetari, janë të drejtorisë së Shërbimeve Publike”- ka thënë Musliu.