Përparim Rama ristrukturon kabinetin qeverisës, këta janë drejtorët e rinj komunalë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës.

Përveç shkarkimit të Donjeta Sahatçiut nga pozita e nënkryetares së Komunës dhe pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Arsimit, Rama ka njoftuar për themelimin dhe shkrirjen në një të disa drejtorive komunale.

I pari i Prishtinës ka njoftuar se ka themeluar Drejtorinë për Transformim, në krye të së cilës ka emëruar Ilir Murselin.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”- ka deklaruar Rama.

Rama ka vendosur që drejtorinë e Planifikimit dhe të Urbanizmit t’i bashkojë në një drejtori të vetme, në krye të së cilës e ka emëruar Arbër Sadikin.

“Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, kam marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, z. Arbër Sadiki. Dua të falënderoj Drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik znjsh. Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Znjsh. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim”- shprehet Rama.

Gjitashtu ai njoftoi se edhe Drejtoria e Pronës dhe e Kadastrit do të shkrihen në një, e cila do udhëhiqet nga Doruntina Maloku.

“Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga znj. Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, z. Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit”- shtoi ai.

Më tej, kryetari i Prishtinës njoftoi për emërimin e Bekim Brestovcit si drejtor të Shërbimeve Publike, pozitë të cilën e mbante paraprakisht Ilirik Musliu nga PDK-ja

“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”- ka shpjeguar Rama.

Rama në vend të Sahatçiut ka emëruar si ushtruese të detyrës së nënkryetares dhe drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriun nga LDK-ja.

Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leutrim Retkoceri, e quajti hakmarrje shkarkimin e drejtorit, Ilirk Musliu, pasi kjo parti nuk e mbështeti për këmbim të pronave në Badovc.

Shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike e quajti revansh edhe tashmë ish-nënkryetarja nga radhët e PDK, Donjeta Sahatçiu.

Derisa, shefi i asamblistëve të LVV, Gëzim Sveçla, këtë veprim tha se e sheh si fillim të fundit të këtij koalicioni.

Tri seancat e fundit të Kuvendit Komunal janë bojkotuar nga PDK, partner në koalicionin qeverisës me LDK.

PDK pati deklaruar se vetëm kur të ketë transparencë dhe hapësirë për kontribut në hartim të rendit të pikave për diskutim do kthehet në seanca.