Prokuroria thirrje për qytetarët që kanë pësuar lëndime trupore në vrasjen e 4 gushtit në 'Bon Vivant'

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes njoftimit për media, ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar lëndime trupore në ngjarjen e datës 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” të paraqiten në Policinë e Kosovës, Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme ose në Prokurorinë Themelore në Prishtinë brenda 15 ditëve kalendarike nga data e publikimit të këtij njoftimi si dhe në faqen zyrtare të Sistemit Prokurorial.

Kjo kërkesë bëhet me qëllim të ndihmës për zbardhjen e ngjarjes në mënyrë të plotë.

Lidhur më këtë rast, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 5 shtator 2023, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, Andi Pajazitit, i dyshuar për rastin e vrasjes së 4 gushtit në ‘Bon Vivant’.

Ndërsa më 29 gusht 2023, pas kërkesës së prokurorisë, masa e paraburgimit, i është ndërprerë Gëzim Zakutit dhe Hisni Gecajt të cilët dyshohen të kenë marrë pjesë në rrahje, ndërsa Gecaj dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Mbrëmja e 4 gushtit përfundoi me fatalitet për një 39-vjeçar kurse një numër i madh i personave mbetën të plagosur e të lënduar pas një mosmarrëveshjeje brenda lokalit “Bon Vivant” në kryeqytet.

Sipas dosjes së prokurorisë, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit.Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajazi e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gecaj në përshikrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.