Ku ishte vendosur bomba me telekomandë në biznesin e Andi Pajazitit?

Dy qese të kaltra në të cilat ishin vendosur një bombë e improvizuar, me detonator dhe me telekomandë, si dhe mjete eksplozivi të plastikës janë identifikuar në një kioskë e cila shfrytëzohej si zyrë në një autosallon në magjistralen Prishtinë-Lipjan.

KALLXO.com mëson detaje në lidhje me mjetet shpërthyese të cilat u raportua se u gjetën në një biznes, i cili është në emër të Andi Pajazitit dhe vëllait të tij.

Gjatë ditës së djeshme në Policinë e Kosovës është raportuar rasti ndërsa veprimet e dyshimta kishin ndodhur në orët e mbrëmjes të së hënës, pra më 8 janar.

Qese të kaltra në të cilat u gjetën nga Policia mjete shpërthyese me telekomandë u vërejtën në orët e mëngjesit të së martës.

Pasi një anëtar i personelit të autosallonit kishte vërejtur qeset e dyshimta e kishte raportuar rastin në Polici.

Sipas dosjes së organeve të ndjekjes, të cilën ka siguruar KALLXO.com, thuhet se ankuesi ka raportuar si kishte ndodhur ngjarja e deri te vërejtja e qeseve në pjesën e parkingut të autosallonit.

Gjithmonë sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, ankuesi ka pretenduar se në mbrëmjen e së hënës, në oborrin e autosallonit “MK” ishte parkuar fillimisht një veturë e tipit ‘BMW’ dhe nga aty ka dalë një person i panjohur me qese në duar.

Vetura kishte qëndruar e parkuar për pak minuta deri sa ka dalë një person për të parë se kush ishte në veturë.

Në momentin që dikush nga personeli kishte dalë nga autosalloni në parking njëri nga personat që kishte dalë nga vetura shpejt kishte lënë qesen në kioskë e më pas ishte larguar me makinë.

E gjithë kjo ngjarje, sipas dosjes, pretendohet se ndodhi rreth orës 22:30 të së hënës.

I njëjti person nga personeli që kishte dalë në parkingun e autosallonit të hënën në mbrëmje gjatë ditës së djeshme kishte vërejtur qeset e dyshimta mbi kioskë.

Tutje i njëjti kishte njoftuar Policinë dhe, më pas, aty kanë shkuar ekipet për trajtimin e mjeteve eksplozive.

Në qese, siç mëson KALLXO.com, u gjetën një bombë e improvizuar, me detonator dhe telekomandë, si dhe mjete të tjera plasëse të plastikës.

Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive ka tërhequr mjetet shpërthyese e më pas është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

Rasti deri më tani është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Kujtojmë se Andi Pajaziti tash e pesë muaj ndodhet në paraburgim si i dyshuar për rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant” që ndodhi në gusht të vitit 2023.

Gjenden mjete shpërthyese në biznesin e Andi Pajazitajt

www.kallxo.com