Vëllai i Liridona Ademajt zhvillon takim në Prokurori: Na u ofrua siguri se hetimet janë duke shkuar mirë

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se sot bashkë me babin e tij ka zhvilluar takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për t’u informuar rreth rastit të vrasjes së motrës së tij.

Leonard Ademaj ka thënë se në takim u është ofruar një siguri më e madhe që hetimet janë duke shkuar mirë.

“Ne i shprehëm falënderimet hetueseve, prokurores së rastit dhe të gjithë prokurorëve që janë duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit. Ne besojmë në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe mbesim me shpresë që rasti do të zgjidhet në mënyrë profesionale” – ka shkruar Leonard Ademaj.

Ai ka bërë të ditur se është dakorduar me prokurorinë që të kenë takime të rregullta informuese.

Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, përmendet fakti se më 29 nëntor rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur kishte dalë para veturës tashmë i dyshuari Granit Plava dhe nga një afërsi e kishte qëlluar me plumb në qafë Liridona Ademajn.

Nga plaga që ka marrë Liridona Ademaj kishte vdekur ndërsa Prokuroria përshkruan edhe detaje të tjera të cilat tregojnë inskenimin e një grabitjeje, porse Prokuroria beson se bëhet fjalë për vrasje me pagesë.

Prokuroria në dokumentin e saj me të cilin ka kërkuar edhe masën e sigurisë – paraburgimin e tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, ka treguar rolin e secilit në rast.

Fillimisht, Naim Murseli pretendohet sipas dosjes që ishte marrë vesh me Granit Plavën që kur të dalë me maskë ta qëllojë me armë Liridona Ademajn, Naimi me dy fëmijët të largohej nga vetura fillimisht.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.

Familja e Liridona Ademajt kërkon takim urgjent me Prokurorinë, dëshiron të informohet rreth rastit