Ilustrim
Vdes njëri nga personat që u plagos në “Bon Vivant”
Një burrë ka vdekur si pasojë e plagosjes që ndodhi mbrëmë, në lokalin “Bon Vivant”.
“Fatkeqsisht njëri nga të plagosurit që ka marrë lëndime mbrëmë, edhe pas intervenimit kirurgjik dhe tretmanit mjekësor ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit”- tha Shefi I Intensivës, Shaqir Uka.
Ai për KALLXO.com tha se viktima është një burrë rreth 39 vjeçar dhe ka pasur plagosje në pjesën abdominale të trupit.
17 persona janë plagosur e lënduar mbramjen e kaluar brenda një lokali në qendër të Prishtinës. Nga të lënduarit dhe plagosurit, një është në rrezik për jetën.
Deri tani është bërë identifikimi i disa prej personave të dyshuar, ndërsa Policia e Kosovës ka thënë se njëri nga ta është në arrati.
Ai po kërkohet nga autoritetet e sigurisë për plagosjen që ndodhi mbrëmë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
Policia ka thënë se rasti fillimisht ka nisur si një mosmarrëveshje në mes të disa të dyshuarve.
Më pas janë përdorur edhe armët e zjarrit dhe si pasojë e gjuajtjeve me armë janë plagosur katër burra.
Si pasojë e thyerjes së gotave- shisheve të qelqit, kanë marrë lëndime trupore 17 persona, prej tyre tre burra dhe 14 gra.
Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë).
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.