Vrasja e Kastriot Ramadanit në 'Bon Vivant', Andi Pajazitit i vazhdohet paraburgimi
Andi Pajaziti, i dyshuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në lokalin ‘Bon Vivant’ në muajin gusht 2023, pritet të qëndrojë edhe për dy muajt e ardhshëm në paraburgim.
Të njëjtit i është vazhduar paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës. Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Ertan Sejfulla pas kërkesës së Prokurorisë së Prishtinës.
“Gjykata e Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda më datë 04.03.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A. P. i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”- ka konfirmuar përmes e-mail-it zëdhënësja Gashi.
Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht 2023, së bashku me të dyshuarit Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.
Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.
Masa paraprake ishte paraparë të përfundonte më 05.03.2024, por përkitazi me këtë vendim të gjykatës Andi Pajaziti do të vazhdojë qëndrimin në paraburgim.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani, së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit 2023 gjendeshin në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
Policia e Kosovës kishte njoftuar më 11 gusht 2023 se ka shpallur në kërkim Dukagjin Nikollajn, nën dyshimin se ai ka kryer katër vepra të ndryshme penale dhe se i njëjti dyshohet se ishte i përfshirë edhe në rastin e ‘Bon Vivant’. I njëjti ende gjendet në kërkim.
Në kërkesën fillestare për paraburgim të përpiluar nga prokurorja Dulina Hamiti shpjegohet momenti kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.
Sipas Prokurorisë, fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.
Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë zjarri, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.
Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili kishte vdekur në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Andi Pajaziti, sipas Prokurorisë, po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.
Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.
Pajaziti, sipas Prokurorisë, dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.